Rusia nën presion shtesë për shkak të mbështetjes ndaj Iranit, thotë ish-zyrtari amerikan
Rusia mund të përballet me presione shtesë për shkak të lidhjes së saj me Iranin pas sulmit amerikan, ka vlerësuar Zach Nunn, ish-zyrtar për politikën e sigurisë kibernetike në Këshillin për Siguri Kombëtare të SHBA-së gjatë administratës së Barack Obamës.
Duke folur për televizionin amerikan Fox News, Nunn deklaroi se Moska aktualisht po mbështet një aleat që po dobësohet, duke paralajmëruar se një politikë e tillë i shteron burimet ruse dhe në të njëjtën kohë rrit rrezikun e një reagimi më të ashpër amerikan nëse vazhdon ky drejtim.
Sipas mediave amerikane, të cilat u referohen zyrtarëve të paidentifikuar të Shteteve të Bashkuara, Rusia dyshohet se i ka dhënë Iranit informacione që Teherani mund t’i përdorë për sulme të mundshme ndaj anijeve luftarake amerikane, avionëve dhe objektivave të tjerë ushtarakë pranë Iranit.
Nunn vlerëson se një veprim i tillë mund të përfaqësojë përpjekjen e Moskës për të ruajtur dhe thelluar bashkëpunimin me Teheranin, sidomos duke pasur parasysh pretendimet e mëhershme se Irani i furnizon Rusisë dronë për luftën në Ukrainë. Sipas tij, përcjellja e të dhënave të inteligjencës e lidh edhe më shumë Rusinë me një konflikt më të gjerë rajonal dhe hap rrugë për sanksione të reja më të ashpra.
Ai paralajmëroi gjithashtu se çdo përfshirje e mëtejshme e Rusisë mund të shkaktojë shqetësim shtesë te forcat amerikane në terren, si dhe të rrisë rrezikun e destabilizimit më të gjerë të situatës.
Goditjet precize iraniane ndaj trupave amerikane duhet të ndalen, tha Nunn, duke shtuar se Irani nuk vepron i vetëm në operacione të tilla dhe se është e rëndësishme të përcaktohet se kush po e ndihmon.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë tensionesh të shtuara në Lindjen e Mesme dhe shqetësimesh në rritje se konflikti mund të zgjerohet edhe te aktorë të tjerë në rajon.