Botë

ShBA-ja diskuton opsione për marrjen e Grenlandës, përfshirë edhe përdorimin e ushtrisë Presidenti i Shteteve të Bash…

06.01.2026. 3 min čitanja

ShBA-ja diskuton opsione për marrjen e Grenlandës, përfshirë edhe përdorimin e ushtrisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka qenë duke diskutuar “një varg opsionesh” për ta marrë nën kontroll Grenlandën, përfshirë edhe përdorimin e ushtrisë amerikane, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.

Në një deklaratë për televizionin britanik BBC, Shtëpia e Bardhë ka thënë se marrja e Grenlandës konsiderohet si “prioritet i sigurisë kombëtare” për ShBA-në.

Këto deklarata vijnë pas komenteve të presidentit Trump gjatë fundjavës, kur ai u shpreh se Shteteve të Bashkuara “u nevojitet” Grenlanda për arsye sigurie. Grenlanda është një rajon gjysmëautonom, pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.

Këmbëngulja e Uashingtonit ka nxitur reagime të forta nga aleatët evropianë. Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, paralajmëroi të hënën se çdo sulm nga ShBA-ja ndaj Grenlandës do të sillte pasoja serioze, madje duke e vënë në rrezik edhe vetë aleancën e NATO-s.

Shtëpia e Bardhë deklaroi të martën se:
“Presidenti dhe ekipi i tij janë duke diskutuar një varg opsionesh për ta ndjekur këtë qëllim të rëndësishëm të politikës së jashtme dhe, natyrisht, përdorimi i ushtrisë amerikane është gjithmonë një opsion në dispozicion të komandantit suprem.”

Ndërkohë, gjashtë shtete aleate evropiane kanë dalë me një deklaratë të përbashkët në mbështetje të Danimarkës. Udhëheqësit e Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Italisë, Spanjës, Polonisë dhe Danimarkës theksuan se:

“Grenlanda i takon popullit të saj dhe vetëm Danimarka dhe Grenlanda mund të vendosin për çështjet që lidhen me marrëdhëniet e tyre.”
Edhe kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, e ka mirëpritur këtë deklaratë, duke bërë thirrje për dialog dhe respekt të së drejtës ndërkombëtare.

“Dialogu duhet të zhvillohet duke respektuar faktin se statusi i Grenlandës është i rrënjosur në të drejtën ndërkombëtare dhe në parimin e integritetit territorial,” – tha Nielsen.

— Dragash Info

Original Facebook objava