Botë

Weber: Kurti instrumentalizoi nacionalizmin e diasporës, kjo është problematike për demokracinë Analisti gjerman dhe…

04.01.2026. 4 min čitanja

Weber: Kurti instrumentalizoi nacionalizmin e diasporës, kjo është problematike për demokracinë

Analisti gjerman dhe anëtari i Democratization Policy Council (DPC), Bodo Weber, e ka cilësuar rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kosovë si një surprizë, duke theksuar se fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka ardhur si pasojë e dy faktorëve kryesorë: mobilizimit të diasporës dhe dobësisë së opozitës.

Në një intervistë për Gazetën Express, Weber ka deklaruar se shtyrja e zgjedhjeve deri në fund të dhjetorit, kohë kur një numër i madh i mërgimtarëve vijnë në Kosovë për festat e fundvitit, ka shërbyer si mekanizëm efikas për qeverinë Kurti për të mobilizuar votën e diasporës përmes nacionalizmit.

“Shtyrja e zgjedhjeve deri në fund të dhjetorit, kur diaspora ishte fizikisht e pranishme në Kosovë për festat e Vitit të Ri, u dëshmua si një mënyrë shumë efikase për të instrumentalizuar nacionalizmin e diasporës, atë që Benedict Anderson e quante ‘nacionalizëm në distancë të gjatë’”, ka thënë Weber.

Sipas tij, fakti që fati politik i Kosovës po përcaktohet nga qytetarë që nuk jetojnë në vend dhe që nuk i ndjejnë drejtpërdrejt pasojat e vendimeve politike, është problem serioz për demokracinë.

“Përcaktimi i fatit politik të një vendi nga qytetarë që nuk jetojnë aty dhe që praktikisht nuk do t’i ndiejnë pasojat e votës së tyre, është shumë problematik nga këndvështrimi i teorisë së demokracisë”, ka deklaruar Weber.

Ai ka theksuar se fitorja e Vetëvendosjes nuk mund të shpjegohet vetëm me diasporën, por edhe me gjendjen e rënduar të opozitës, duke përmendur krizën e thellë të lidershipit në LDK, si dhe përçarjet në PDK dhe AAK.

Duke folur për zhbllokimin e krizës politike dhe zgjedhjen e presidentit të ri, Weber ka vlerësuar se është ende herët të flitet për stabilizim institucional. Sipas tij, Vetëvendosje do të ketë nevojë për përkrahjen, së paku të heshtur, të njërës prej partive opozitare për zgjedhjen e presidentit në muajin mars.

Po ashtu, Weber ka përmendur si skenar të mundshëm edhe lirimin eventual të ish-presidentit Hashim Thaçi nga Haga dhe rikthimin e tij në skenën politike në Kosovë.

Sa i përket dialogut Kosovë–Serbi, analisti gjerman ka shprehur skepticizëm për një ndryshim të shpejtë të qasjes së qeverisë Kurti. Ai ka kritikuar ashpër Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e Ohrit, duke i cilësuar si iniciativën më të dëmshme në historinë e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas Weberit, kjo marrëveshje ka qenë edhe më e dëmshme se ideja e shkëmbimit të territoreve, ndërsa ish-përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, e ka quajtur negociatorin më të dobët në historinë e dialogut.

“Nisma franko-gjermane u ndërtua mbi një politikë të dështuar të qetësimit ndaj Beogradit, e cila vetëm sa e forcoi bindjen e Vuçiçit se Perëndimi është i dobët, ndërkohë që BE-ja shikonte në mënyrë pasive përshkallëzimin e situatës në veri”, ka deklaruar Weber.

Ai ka shtuar se, bazuar në deklaratat e para të kancelarit të ri gjerman, Friedrich Merz, nuk ka sinjale për një ndryshim strategjik të qasjes së BE-së ndaj dialogut Kosovë–Serbi, çka sipas tij nënkupton vazhdimin e insistimit në zbatimin e Marrëveshjes Bruksel–Ohër, pavarësisht mungesës së rezultateve konkrete.

— Dragash Info

Original Facebook objava