PDK: Refuzimi për t’i dhënë prioritet Rezolutës është shmangie e përgjegjësisë ndaj së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave
PDK: Refuzimi për t’i dhënë prioritet Rezolutës është shmangie e përgjegjësisë ndaj së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave – Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka propozuar sot një Rezolutë të rëndësisë së veçantë për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës së Kosovës dhe dinjitetit të viktimave. Sipas PDK-së, është kërkuar që kjo rezolutë të përfshihet si pikë e parë e rendit të ditës në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe urgjencën që lidhet me zhvillimet e fundit dhe nevojën për reagim institucional. Megjithatë, kjo kërkesë nuk ka marrë mbështetjen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, duke bërë që rezoluta të mos trajtohet me prioritetin e kërkuar. Në këto rrethana, dhe për të shmangur një votim të paracaktuar për dështim, PDK ka bërë të ditur se është detyruar ta tërheqë përkohësisht Rezolutën nga procedura parlamentare, duke lëshuar njëkohësisht sallën e Kuvendit. PDK vlerëson se mosdhënia e prioritetit kësaj çështjeje nuk është thjesht vendim procedural, por shmangie nga përgjegjësia institucionale për mbrojtjen e së vërtetës historike dhe respektimin e dinjitetit të viktimave të luftës. Rezoluta e propozuar synon të dënojë çdo shtrembërim të fakteve historike, të kërkojë përgjegjësi për keqinformimin dhe të vendosë standarde të qarta institucionale në trajtimin e historisë së luftës së Kosovës. Nga kjo parti është bërë e ditur se çështja do të rikthehet sërish në Kuvend, me synimin për të siguruar mbështetje më të gjerë politike dhe shoqërore për miratimin e saj. “Mbrotja e së vërtetës historike nuk është çështje partiake, por detyrim ndaj shtetit, ndaj viktimave dhe ndaj brezave që vijnë”, thuhet në reagimin e PDK-së. — Dragash Info