AVONET ngre dyshime për manipulime me njehsorët elektrikë, miliona euro dëme të mundshme
AVONET ngre dyshime për manipulime me njehsorët elektrikë, miliona euro dëme të mundshme
AVONET ka ngritur shqetësime serioze lidhur me zhvillimet në sektorin e energjisë në Kosovë, duke aluduar për manipulime të mundshme me njehsorët elektrikë dhe faturim të padrejtë ndaj qytetarëve. Në një komunikatë publike, organizata thekson se, bazuar në informacione nga burime që i konsideron të besueshme, ekzistojnë dyshime se KEDS dhe KESCO mund të kenë keqpërdorur autorizimet e tyre në kuadër të marrëveshjes së distribucionit të energjisë, duke shkaktuar dëme financiare që arrijnë në miliona euro për qytetarët. Sipas AVONET-it, këto dyshime lidhen edhe me pretendime për investime fiktive nga pronarë të lidhur me Çalık Holding, përkatësisht Ahmet Çalık dhe Özdemir, në bashkëpunim me menaxhmentin e kompanive energjetike. Në komunikatë ngrihen pikëpyetje edhe për rolin e ZRRE, duke theksuar se veprime të tilla nuk mund të kenë ndodhur pa dijeninë apo mosveprimin e këtij institucioni rregullator, i cili ka përgjegjësi ligjore për monitorimin e tregut të energjisë në vend. AVONET thekson se këto dyshime nuk janë të pabazuara, por mbështeten në analiza profesionale dhe paralajmërime të mëhershme të ekspertëve të fushës, të cilët kanë ngritur shqetësime për këtë fenomen prej kohësh. Organizata shton se mosrealizimi i investimeve të obliguara ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e infrastrukturës energjetike, duke akuzuar për skema të mundshme fiktive me qëllim përfitimi financiar në kurriz të qytetarëve dhe bizneseve. Në fund, AVONET përmend edhe dyshime për një skemë të ngjashme mashtrimi në sektorin financiar, duke pretenduar se një institucion financiar i licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës mund të ketë dëmtuar klientët përmes një sistemi të sofistikuar financiar, bazuar në ankesa dhe gjetje jozyrtare gjatë proceseve mbikëqyrëse. — Dragash Info