Qendrore

Prokuroria Speciale nis hetime ndaj Shkëlzen Gashit për nxitje të përçarjes

30.03.2026. 2 min čitanja

Prokuroria Speciale nis hetime ndaj Shkëlzen Gashit për nxitje të përçarjes width= Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka autorizuar Policinë e Kosovës që në mënyrë urgjente të mbledhë informata dhe prova lidhur me Shkëlzen Gashi, autor i një ekspozite që sipas raportimeve përmban pasaktësi rreth masakrave gjatë luftës në Kosovë. Sipas dokumentit zyrtar të publikuar nga Rron Gjinovci, Prokuroria ka hapur rast penal ndaj Gashit, nën dyshimin për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, bazuar në nenin 141 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në urdhër theksohet se, bazuar në provat materiale dhe raportimet nga të dëmtuarit e masakrës së Dubravës dhe rasteve të tjera gjatë luftës, si dhe nga qytetarë që pretendojnë të jenë viktima, ekziston dyshimi se veprimet publike të Gashit kanë dëmtuar dhe shtrembëruar të vërtetën e luftës çlirimtare në Kosovë, duke nxitur përçarje dhe mosdurim në shoqëri. Prokurori i shtetit ka autorizuar Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Kosovës që të ndërmarrë menjëherë veprime hetimore, përfshirë: Mbledhjen e informatave dhe provave relevante Sqarimin e motiveve të veprimeve të të dyshuarit Sigurimin e burimeve të informacionit të publikuar Gjithashtu, është kërkuar që të sigurohet prezenca e Gashit për intervistim në cilësinë e të dyshuarit, ku ai pritet të japë sqarime lidhur me veprimet dhe burimet e tij. Pas mbledhjes dhe analizimit të provave, autoritetet do të vendosin për hapat e mëtejmë, përfshirë edhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë rast. Prokuroria ka kërkuar që pas përfundimit të veprimeve hetimore, Policia të dorëzojë raport me shkrim brenda një afati sa më të shkurtër kohor. — Dragash Info