KANDIÇI DEMANTON GASHIN: Fondi i Natasha Kandiçit sqaron gabimet në ekspozitë
KANDIÇI DEMANTON GASHIN: Fondi i Natasha Kandiçit sqaron gabimet në ekspozitë
Fondi për të Drejtën Humanitare i Natasha Kandiç ka reaguar fuqishëm ndaj pretendimeve të Shkëlzen Gashit për ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, duke e cilësuar mënyrën e paraqitjes së krimeve si të pasakta dhe shqetësuese. Në komunikatën për media, Fondi sqaron se shumë të dhëna të ekspozitës nuk përputhen me faktet e vërtetuara në gjykatë dhe tregojnë mungesë njohurish mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare. Sipas Fondit, viktimat në Burgun e Dubravës nuk ishin të armatosur, por persona të privuar nga liria dhe nën kontroll të plotë të autoriteteve serbe, pra të mbrojtur sipas Konventave të Gjenevës. Gabime të ngjashme janë vërejtur edhe për rastin e Mejës, ku viktimat ishin të paarmatosur dhe nën kontroll të forcave serbe në momentin e vrasjes. Fondi kritikon gjithashtu përzierjen e vrasjeve të luftëtarëve me ato të civilëve në rastin e Reçakut, duke theksuar se “është gabim dhe joprofesionale të nxirret përfundimi se një person është vrarë si luftëtar vetëm sepse ka qenë më parë pjesëtar i UÇK-së”. Në reagim, Fondi i Natasha Kandiçit ka kritikuar edhe përpjekjet e Shkëlzen Gashit për të zhvendosur përgjegjësinë te vetë Fondi, duke e cilësuar si një përpjekje për të diskredituar bazën më të besueshme të të dhënave për viktimat civile të luftës, e cila dokumenton mbi 8.500 viktima dhe është vlerësuar nga ekspertë ndërkombëtarë. Në përfundim, Fondi kërkon që ekspozita të tërhiqet nga hapësira publike, duke theksuar se “paraqitja e pasaktë e fakteve nuk kontribuon në kulturën e kujtesës, por e dëmton atë, relativizon krimet dhe cenon seriozisht dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre”. — Dragash Info