Fikrim Damka mbetet jashtë Kuvendit pas rinumërimit të deritashëm të votave Ministri në detyrë për Zhvillim Rajonal d…
Fikrim Damka mbetet jashtë Kuvendit pas rinumërimit të deritashëm të votave
Ministri në detyrë për Zhvillim Rajonal dhe kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, duket se nuk do të arrijë të sigurojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Sipas rezultateve të rinumërimit të deritashëm të votave, Damka do të mbetet jashtë Kuvendit, ndërsa mandati i deputetit pritet t’i takojë Ergul Mazrekut.
Mazrek, i cili në listën e kandidatëve të KDTP-së mbante numrin 4, ka dalë me gjithsej 2.511 vota, që janë 15 vota më shumë krahasuar me numërimin fillestar. Ky rezultat e pozicionon atë përpara Fikrim Damkës, i cili kryesonte listën e partisë.
Rinumërimi i votave ka nxjerrë në pah parregullsi dhe manipulime në numërimin e votave për kandidatë, të cilat dyshohet se kanë ndodhur në Qendrat Komunale të Numërimit.
Procesi i rinumërimit po vazhdon, ndërsa rezultatet e deritanishme kanë hapur debate serioze mbi integritetin e procesit zgjedhor dhe mënyrën e administrimit të votave në nivel lokal.
— Dragash Info


