Fikrim Damka mbetet jashtë Kuvendit pas rinumërimit të deritashëm të votave
Ministri në detyrë për Zhvillim Rajonal dhe kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, duket se nuk do të arrijë të sigurojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Sipas rezultateve të rinumërimit të deritashëm të votave, Damka do të mbetet jashtë Kuvendit, ndërsa mandati i deputetit pritet t’i takojë Ergul Mazrekut.
Mazrek, i cili në listën e kandidatëve të KDTP-së mbante numrin 4, ka dalë me gjithsej 2.511 vota, që janë 15 vota më shumë krahasuar me numërimin fillestar. Ky rezultat e pozicionon atë përpara Fikrim Damkës, i cili kryesonte listën e partisë.
Rinumërimi i votave ka nxjerrë në pah parregullsi dhe manipulime në numërimin e votave për kandidatë, të cilat dyshohet se kanë ndodhur në Qendrat Komunale të Numërimit.
Procesi i rinumërimit po vazhdon, ndërsa rezultatet e deritanishme kanë hapur debate serioze mbi integritetin e procesit zgjedhor dhe mënyrën e administrimit të votave në nivel lokal.
— Dragash Info







