Lokale

Dragashi pa ujë, nesër protestë para Komunës – Hidroregjioni tregon arsyet e mungesës së furnizimit

10.08.2026. 5 min čitanja

Mungesa e ujit të pijshëm në qytezën e Dragashit ka nxitur reagime të shumta të qytetarëve, ndërsa për nesër, më 11 gusht, është paralajmëruar protestë para objektit të Komunës së Dragashit.   Protesta pritet të nisë në orën 11:00, ndërsa qytetarët janë ftuar të bashkohen për të kërkuar zgjidhje konkrete dhe të menjëhershme për problemin e furnizimit me ujë.   “Nuk po kërkojmë privilegj. Po kërkojmë një të drejtë elementare: Ujin!”, thuhet në thirrjen për protestë.   Hidroregjioni: Nuk po vjen sasi e mjaftueshme e ujit   Menaxheri i KRU “Hidroregjioni Jugor” – Dega në Dragash, Izet Aliu, ka konfirmuar për media se qyteza po përballet me mungesë të ujit të pijshëm.   “Me plot përgjegjësi konfirmoj se ka mungesë të ujit në Dragash. Qytetarët janë duke u përballur me mungesë të ujit, domethënë nuk po vjen sasi e mjaftueshme e ujit”, ka deklaruar Aliu.   Sipas tij, problemi lidhet me sasinë e ujit që vjen nga burimi i Radesha, prej nga Dragashi është furnizuar tradicionalisht.   Aliu ka deklaruar se një pjesë e ujit nga ky burim aktualisht shkon drejt fabrikës së re të përpunimit të ujit, prej nga më pas furnizohen disa fshatra.   “Mosardhja e ujit është si pasojë e pendës së krijuar nga fabrika e ndërtuar nga Komuna, e cila ujin e çon në fabrikën e re të përpunimit dhe shpërndahet në disa fshatra, jo vetëm të Opojës, por edhe të Gorës”, ka thënë Aliu.   Ai ka theksuar se sasia e ujit që aktualisht arrin në sistem nuk është e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e qytetarëve të Dragashit.   “Problemi është që Hidroregjionit Jugor nuk po i vjen sasi e mjaftueshme e ujit për me i furnizu qytetarët. Ne, me sasinë ekzistuese, nuk mundemi me i furnizu qytetarët”, ka shtuar ai.   Një pjesë e ujit shkon drejt fabrikës së përpunimit   I pyetur lidhur me ankesat e qytetarëve dhe raportimet se uji që tradicionalisht furnizon Dragashin po përdoret edhe për furnizimin e fshatrave të Opojës, Aliu ka konfirmuar se një pjesë e ujit nga lumi Radesha shkon drejt fabrikës së përpunimit.   “Uji i Dragashit është e vërtetë që po bartet edhe në fshatrat e Opojës. Uji i lumit Radesha që vjen për Dragash, që është furnizuar Dragashi me atë ujë gjithmonë, një pjesë është duke ardhur në Dragash, pjesa tjetër është duke shkuar në fabrikën për përpunimin e ujit”, ka deklaruar Aliu.   Megjithatë, ai ka thënë se KRU “Hidroregjioni Jugor” nuk ka informacion se cilat fshatra furnizohen nga kjo fabrikë, pasi nuk ka qasje në sistemin e saj.   “Se kush furnizohet nga ajo fabrikë, nuk jemi në dijeni, pasi nuk kemi qasje aty. Aty mundemi me kontaktu zyrtarët e komunës”, ka deklaruar ai.   Komuna dhe Hidroregjioni zhvillojnë takime   Sipas Aliut, zyrtarët e KRU “Hidroregjioni Jugor” kanë zhvilluar takime me zyrtarët e Komunës së Dragashit për të gjetur një zgjidhje urgjente për situatën.   “Për këtë problem sot zyrtarët e kompanisë Hidroregjioni Jugor kanë pasur takime me zyrtarët e Komunës së Dragashit dhe kanë kërkuar me e zgjidhë urgjentisht këtë problem të furnizimit të qytetarëve me ujë”, ka thënë Aliu.   Ai ka bërë të ditur se është premtuar ndërmarrja e masave për rritjen e sasisë së ujit që dërgohet drejt Dragashit.   “Është premtuar se do të merren të gjitha masat sot për me rritë sasinë e ujit, me lëshu sasinë e ujit për me ardhë në Dragash për furnizim të qytetarëve”, ka deklaruar Aliu.   Komuna e Dragashit nuk është përgjigjur   Për qëndrimin e Komunës së Dragashit lidhur me mungesën e ujit dhe pretendimet se uji që tradicionalisht furnizon Dragashin po përdoret edhe për furnizimin e fshatrave të tjera, media ka kontaktuar zyrtarin për informim, Fari Kolloni.   Deri në publikimin e këtij lajmi, nga Komuna e Dragashit nuk është kthyer përgjigje.   Ndërkohë, qytetarët pritet që nesër, më 11 gusht, në ora 11:00, të mblidhen para objektit të Komunës së Dragashit në protestën e paralajmëruar për mungesën e ujit të pijshëm.