Lokale

Granit Rifaj reagon për deponinë e mbeturinave inerte në Gorë: Kërkon konsultim me banorët dhe shqyrtimin e lokacioneve alternative

Nëntor 19, 2026 2 minuta leximi

Granit Rifaj, shef i Grupit të PDK-së në Kuvendin Komunal të Dragashit, ka reaguar lidhur me debatin për projektin e ndërtimit të deponisë së mbeturinave inerte ndërmjet Vranishtës dhe Orçushës, në trevën e Gorës. Në një…

FB_IMG_1795041042552

Granit Rifaj, shef i Grupit të PDK-së në Kuvendin Komunal të Dragashit, ka reaguar lidhur me debatin për projektin e ndërtimit të deponisë së mbeturinave inerte ndërmjet Vranishtës dhe Orçushës, në trevën e Gorës. Në një deklaratë publike, Rifaj vlerëson se komuna ka nevojë për projekte të organizuara dhe të mbikëqyrura për menaxhimin e mbeturinave, si në Opojë ashtu edhe në Gorë, por thekson se duhet të bëhet dallim ndërmjet nevojës për realizimin e projektit dhe përshtatshmërisë së lokacionit të propozuar. Ai nënvizon se shqetësimet e banorëve të Vranishtës, veçanërisht ato që lidhen me rrjetin e ujësjellësit, puset që shërbejnë për furnizimin me ujë dhe mungesën e konsultimit të mjaftueshëm me komunitetin, duhet të merren seriozisht. Rifaj propozon hapjen e një procesi konsultimi ndërmjet Komunës, pozitës, opozitës dhe banorëve, shqyrtimin e lokacioneve alternative, si dhe publikimin e dokumentacionit dhe vlerësimeve profesionale që kanë shërbyer për përcaktimin e lokacionit aktual. Ai kërkon gjithashtu që të shqyrtohen mundësitë ligjore dhe institucionale për ndryshimin eventual të lokacionit, duke ruajtur mundësinë e realizimit të investimit. Në deklaratën e tij, Rifaj trajton edhe gjendjen e deponisë së mbeturinave të amvisërisë në zonën e Brrutit, përgjatë rrugës Brrut–Trekon, për të cilën thotë se prej më shumë se 27 vitesh mbetet shqetësim për banorët dhe kërkon ndërhyrje konkrete nga institucionet përgjegjëse. Në fund, ai bën thirrje për bashkëpunim ndërmjet Opojës dhe Gorës, duke theksuar se projektet duhet të realizohen në interes të qytetarëve, me transparencë dhe konsultim të mirëfilltë. „Dragashit i duhen zgjidhje, jo polemika. Projekte të realizuara, jo mundësi të humbura!“ – përfundon reagimi i Granit Rifajt.