Lokale
Izet Aliu i kundërpërgjigjet Bexhet Xheladinit për ujin në Dragash: “Kur regjisori është i dobët, filmi del keq”
Dragash – Menaxheri i KRU “Hidroregjioni Jugor”, Dega në Dragash, Izet Aliu, ka reaguar ndaj deklarimeve dhe konstatimeve të kryetarit të Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, lidhur me situatën e furnizimit me ujë të pijshëm në qytezën e Dragashit. Në reagimin e tij, Aliu e ka kritikuar kryetarin Xheladini për atë që ai i konsideron mospërputhje mes asaj që shihet në video dhe konstatimeve të bëra nga Komuna. “Kur ‘regjisori’ është i dobët, filmi del keq!”, ka shkruar Aliu në reagimin e tij. Ai pretendon se në videon e publikuar shihet qartë se është ndërprerë dhe reduktuar rrjedha e ujit në burimin e lumit, duke cituar edhe deklaratën se “nuk mundem me e lëshue më shumë”. Sipas Aliut, kjo bie në kundërshtim me konstatimin se uji nuk është reduktuar dhe se burimi nuk është prekur. Po ashtu, ai pretendon se në video shihet se lumi i Radeshës është shterur tërësisht, ndërsa, sipas tij, në konstatim thuhet e kundërta – se uji në lumë është shtuar, me arsyetimin se “e ka sjellë aty ujin prej shpisë”. Në fund të reagimit, Aliu i ka bërë thirrje kryetarit Xheladini që të rikthejë furnizimin me ujë për qytetarët e Dragashit, duke e akuzuar atë se nuk ka të drejtë t’ua ndërpresë ujin banorëve. “Lësho ujin se u bëre përrallë, ke me dhënë llogari sepse nuk ke të drejtë me ja ndalë ujin Dragashit, kryetar!”, përfundon reagimi i Izet Aliut. Përplasja publike mes përfaqësuesit të KRU “Hidroregjioni Jugor” dhe Komunës së Dragashit vjen në kohën kur furnizimi me ujë i qytezës së Dragashit vazhdon të jetë një nga çështjet më të diskutuara nga qytetarët. Dragash Info do të përcjellë çdo reagim dhe sqarim të institucioneve dhe palëve të përfshira lidhur me këtë çështje.