Komuna e Dragashit paralajmëron qytetarët: Mos paguani për parkingje, ndriçim publik apo kyçje në ujësjellës te persona privatë
Komuna e Dragashit ka njoftuar se ka siguruar informacione të besueshme se në disa fshatra të Gorës, veçanërisht në Leshtan, Zlipotok dhe Radeshë, persona të papërgjegjshëm po u kërkojnë qytetarëve pagesa të kundërligjshme për parkingje, ndriçimin publik, funksionimin e pompave të ujit dhe kyçjen në rrjetin e ujësjellësit. Sipas Komunës, këto shërbime financohen nga buxheti komunal dhe nuk duhet të paguhen ndaj personave privatë. Çdo kërkesë për pagesë në emër të tyre konsiderohet veprim i kundërligjshëm. Po ashtu, Komuna thekson se askush, përfshirë të ashtuquajturat “këshilla të fshatrave”, nuk ka kompetencë ligjore të shesë, të japë në shfrytëzim apo të disponojë me pronën komunale. Sipas njoftimit, veprime të tilla bien ndesh me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës dhe mund të sjellin pasoja ligjore. Komuna paralajmëron se çdo person që uzurpon, shet ose mundëson ndërtime pa leje në pronën komunale do të përballet me përgjegjësi ligjore, ndërsa objektet e ndërtuara në mënyrë të paligjshme mund t’u nënshtrohen procedurave për rrënim dhe kthim të pronës nën administrimin komunal. Në fund, Komuna u bën thirrje qytetarëve të mos blejnë prona që janë në pronësi të Komunës ose figurojnë në emër të Agjencisë së Privatizimit, të mos kryejnë pagesa të kundërligjshme dhe çdo rast të tillë ta raportojnë pranë institucioneve kompetente. Komuna e Dragashit rithekson se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e pronës publike, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit të qytetarëve.