Komuna e Dragashit: Mungesa e ujit u shkaktua nga rritja e konsumit dhe thatësia, bëhet thirrje për kursim
Komuna e Dragashit ka reaguar për problemet e furnizimit me ujë të pijshëm që kanë prekur ditët e fundit qytezën e Dragashit, duke kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe duke sqaruar se situata nuk është shkaktuar nga neglizhenca institucionale. Sipas komunikatës, vështirësitë në furnizim janë rezultat i rritjes së ndjeshme të konsumit për shkak të temperaturave të larta, shtimit të numrit të mërgimtarëve gjatë sezonit veror, si dhe zvogëlimit të prurjeve të ujit në lumin Radeshë si pasojë e mungesës së reshjeve dhe thatësisë. Komuna bën të ditur se përgjegjëse për menaxhimin dhe furnizimin me ujë të pijshëm në qytezën e Dragashit është KRU “Hidroregjioni Jugor”– Njësia Operative në Dragash, ndërsa thekson se nuk ka zvogëluar në asnjë moment sasinë e ujit të marrë nga lumi Radeshë për Fabrikën e Trajtimit të Ujit. Sipas saj, pretendimet për ndërhyrje në uljen e prurjeve janë të pavërteta. Në komunikatë thuhet se Komuna, në bashkëpunim me KRU “Hidroregjioni Jugor”, është duke ndërmarrë masat e nevojshme për stabilizimin e furnizimit me ujë në afatin më të shkurtër të mundshëm. Njëkohësisht, qytetarëve u bëhet thirrje që ta përdorin ujin në mënyrë të përgjegjshme dhe të shmangin shpenzimet e panevojshme, si larja e automjeteve, rrugëve dhe oborreve, mbushja e pishinave dhe ujitja e sipërfaqeve me ujë të pijshëm. Komuna njofton gjithashtu se projekti Lot 3 është në fazën përfundimtare të realizimit dhe se, duke filluar nga java e ardhshme, pritet të vihet në funksion furnizimi me ujë për përdorim edhe në fshatrat Rapçë dhe Kërstec. Në fund, Komuna e Dragashit falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin, duke premtuar se do t’i informojë në kohë reale për çdo zhvillim lidhur me gjendjen e furnizimit me ujë.