Lokale
Edhe në rigjykim, Shaqir Lutvija dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Prizren
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur sërish fajtor Shaqir Lutvijën në rigjykim, duke e dënuar me 10 vjet burgim për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, të kryera gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999 në Prizren. Aktgjykimi u shpall të martën nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Kujtim Krasniqi. Në dënimin e shqiptuar do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa masa e paraburgimit do të vazhdojë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar. Përveç dënimit me burg, Lutvija është obliguar të paguajë 400 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Të dëmtuarit janë udhëzuar që kërkesat pasurore-juridike t’i realizojnë përmes procedurës civile. Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktgjykimi brenda 30 ditëve në Gjykatën e Apelit. Ky është vendimi i dytë dënues ndaj Lutvijës, pasi edhe më 11 nëntor 2025 ai ishte dënuar me 10 vjet burgim. Megjithatë, Gjykata e Apelit më 23 qershor 2026 e kishte kthyer çështjen në rigjykim. Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Lutvija, në cilësinë e inspektorit të Policisë në Prizren, akuzohej se gjatë periudhës 1998–1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, kishte marrë pjesë në arrestime, rrahje, tortura dhe trajtim çnjerëzor ndaj civilëve shqiptarë. Aktakuza përshkruan se të arrestuarit janë torturuar gjatë marrjes në pyetje, duke përfshirë edhe përdorimin e rrymës elektrike. Sipas pretendimeve të Prokurorisë, si pasojë e këtyre torturave një person kishte humbur jetën, ndërsa disa të tjerë kishin pësuar lëndime të rënda trupore. Burimi: Betimi për Drejtësi.