QKMF “Adem Berisha” në Dragash sqaron publikimet për tharjen e çarçafëve: Bëhet fjalë për një zgjidhje të përkohshme, lavanderia industriale vjen së shpejti
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) “Adem Berisha”në Dragash ka reaguar ndaj publikimeve të bëra në disa portale informative lidhur me tharjen e çarçafëve në pjesën e pasme të objektit, duke theksuar se informacionet e publikuara nuk pasqyrojnë gjendjen reale në institucion. Në reagimin zyrtar thuhet se QKMF-ja këtë vit ka përfituar një projekt nga Accessible Quality Healthcare (AQH) dhe Komuna e Dragashit për pajisjen e lavanderisë qendrore me një lavatriçe industriale me kapacitet 30 kilogramë dhe një tharëse industriale për tekstilet spitalore, pajisje që pritet të instalohen së shpejti. Sipas institucionit, aktualisht është duke u zhvilluar renovimi dhe përgatitja e hapësirës së lavanderisë qendrore për vendosjen e këtyre pajisjeve, të cilat do të mundësojnë larjen dhe tharjen e tekstileve sipas standardeve bashkëkohore. QKMF sqaron se, gjatë kësaj periudhe kalimtare dhe për shkak të rritjes së numrit të pacientëve gjatë sezonit veror, personeli i mirëmbajtjes ka përdorur përkohësisht ballkonet në pjesën e pasme të objektit për tharjen e tekstileve. Sipas tyre, këto hapësira nuk janë hyrje kryesore të institucionit, nuk frekuentohen nga pacientët dhe shërbejnë si pjesë ndihmëse e lavanderisë. Institucioni thekson se kjo praktikë është përdorur vetëm për të siguruar furnizimin e pandërprerë të të gjitha repartëve me çarçafë dhe materiale tekstile të pastra, në mënyrë që shërbimet ndaj pacientëve të mos ndërpriten. Në fund të reagimit, QKMF “Adem Berisha”nënvizon se tharja e tekstileve të pastra në ambiente të ekspozuara ndaj diellit, në zona të mbyllura dhe pa qarkullim pacientësh, nuk paraqet rrezik higjieno-sanitar dhe falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe besimin ndaj institucionit. Dragash Info do të vazhdojë të përcjellë reagimet dhe qëndrimet e të gjitha palëve për çështjet me interes publik.