Kulturë

RIKTHEHET PAS KATËR DEKADASH LIBRI “VALLE TRADICIONALE TË OPOJËS” I AUTORIT XHEMALI BERISHA

23.07.2026. 2 min čitanja

  Pas plot katër dekadash nga botimi i parë, është ribotuar libri “Valle tradicionale të Opojës”, një nga veprat më të rëndësishme kushtuar trashëgimisë kulturore të Opojës, me autor Xhemali Berisha.   Botuar nga Shtëpia Botuese “Thesari”, ribotimi vjen i pasuruar me Fjalën e botuesit dhe biografinë e autorit, duke i dhënë veprës një vlerë të shtuar dokumentuese dhe promovuese.   Libri paraqet me përkushtim vallet tradicionale të Opojës, të cilat përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të identitetit kulturor të kësaj treve. Përmes dokumentimit të formave të valleve, estetikës dhe traditave që i shoqërojnë, autori Xhemali Berisha ka lënë një dëshmi të çmuar për historinë dhe folklorin opojan.   Ky ribotim synon jo vetëm ta rikthejë veprën në duart e lexuesve, por edhe të ndihmojë në ruajtjen e autenticitetit të valleve tradicionale, përcjelljen e tyre te brezat e rinj dhe krijimin e një reference të besueshme për studiuesit, koreografët, valltarët dhe të gjithë dashamirët e kulturës popullore.   Botimi vjen në një kohë kur, për shkak të ndryshimeve në interpretim dhe transformimeve të traditave, shumë prej valleve të Opojës rrezikojnë të humbin tiparet e tyre burimore. Për këtë arsye, libri shërben si një pikë e rëndësishme referimi për ruajtjen dhe promovimin e kësaj pasurie kulturore, me synimin që vallet tradicionale të Opojës të njihen dhe të mbrohen edhe në nivel ndërkombëtar.   Ribotimi i kësaj vepre përbën një homazh për punën shumëvjeçare të autorit Xhemali Berisha, i cili me përkushtim dokumentoi një thesar të vyer të folklorit opojan, duke lënë një trashëgimi me vlerë për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë. Burimi: Demir Reshiti. / Dragash Info/