Përfundon ndërtimi i urës në fshatin Kosavë të Dragashit
Ka përfunduar me sukses projekti “Ndërtimi i Urës në fshatin Kosavë, Komuna e Dragashit”, një investim i rëndësishëm që do të përmirësojë infrastrukturën lokale dhe do të lehtësojë qarkullimin për banorët e kësaj zone. Projekti është financuar përmes bashkëfinancimit nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) dhe Komuna e Dragashit, në kuadër të Programit për Implementimin e Strategjive Zhvillimore Lokale për Grupet Lokale të Veprimit (Qasja LEADER). Implementues i projektit ka qenë Grupi Lokal i Veprimit “Bio Sharri”, i cili ka realizuar punimet me sukses, duke sjellë një investim që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e lidhjes infrastrukturore dhe lëvizjes së qytetarëve. Me rastin e përfundimit të projektit, është shprehur mirënjohje për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Komunën e Dragashit, si dhe për të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij investimi. Ura e re pritet të jetë në shërbim të banorëve të fshatit Kosavë dhe të gjithë qytetarëve që do ta përdorin, duke rritur sigurinë dhe duke lehtësuar qarkullimin në këtë pjesë të komunës.
/Dragash Info/