Lokale

Jeton Qengaj u bën thirrje bashkatdhetarëve: Shpenzoni në Dragash, mbështetni bizneset vendore

18.07.2026. 2 min čitanja

Dragash – Jeton Qengaj nga OJQ “AVOKO” u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve të Komunës së Dragashit që, gjatë qëndrimit në vendlindje, të mbështesin bizneset lokale dhe të kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë së komunës duke i shpenzuar paratë brenda Dragashit.   Përmes një postimi publik, Qengaj theksoi se Opoja është një trevë me njerëz punëtorë, mikpritës dhe me tradita të pasura, duke ftuar qytetarët të ndihen krenarë për vendlindjen dhe ta mbështesin atë me veprime konkrete.   “Sa herë që kemi mundësi, ta lëmë paranë në komunën tonë. Nuk ka nevojë të shkojmë në Prizren për çdo drekë apo kafe, kur në Dragash e Opojë kemi restorante dhe lokale me ushqim të shkëlqyer, mikpritje të ngrohtë dhe çmime të arsyeshme”, ka shkruar ai.   Me një dozë humori, Qengaj e ka cilësuar Prizrenin si një “lagje”të Komunës së Dragashit, duke pyetur pse paratë duhet të shpenzohen diku tjetër, kur mund të mbështesin bizneset e vendlindjes.   Ai ka shtuar se shumë banorë të Opojës janë ndier të nënvlerësuar ose të paragjykuar gjatë vizitave në Prizren, duke theksuar se kjo duhet të jetë një arsye më shumë për t’i mbështetur bizneset vendore, ku qytetarët ndihen të mirëpritur dhe të respektuar.   Qengaj përmendi edhe shprehjen popullore: “Opojalis rritja mendjen, merrja lekun”, duke theksuar se, edhe nëse përdoret me humor, ajo duhet të shërbejë si një kujtesë për ta vlerësuar më shumë vendin dhe njerëzit e Opojës.   Sipas tij, çdo euro e shpenzuar në Dragash ndihmon në forcimin e ekonomisë lokale, mbështet bizneset vendore dhe krijon më shumë vende pune për banorët e komunës.   “Le ta duam, ta respektojmë dhe ta zhvillojmë Dragashin. Zhvillimi i komunës sonë fillon nga ne”, ka përfunduar Jeton Qengaj.