Murat Muška: Do të ushtrojmë ankesë për mosmbështetjen e projektit, por Dita e Diasporës në Gorë do të mbahet më 1 gusht
Kryetari i Shoqatës Joqeveritare “Biser”, Murat Muška, ka reaguar pasi projekti i organizatës për organizimin e manifestimit “Dita e Diasporës”në Komunën e Dragashit nuk është përfshirë në listën e projekteve të mbështetura me subvencione komunale. Muška theksoi se shoqata ka aplikuar në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me të gjitha kriteret ligjore, duke shtuar se prej vitesh realizon projekte me interes për komunitetin dhe qytetarët e komunës. Ai bëri të ditur se do të ushtrojë ankesë ndaj vendimit, duke e cilësuar këtë si një të drejtë ligjore dhe jo si kërkesë për favorizim. “Presim që të gjitha projektet të vlerësohen në mënyrë objektive, transparente dhe në përputhje me kriteret e përcaktuara”, ka deklaruar Muška. Sipas tij, Shoqata “Biser”nuk do të heqë dorë nga idetë dhe projektet e saj, duke theksuar se mbështetja financiare kërkohet vetëm për realizimin e aktiviteteve në interes të qytetarëve dhe jo për përfitime personale apo materiale. Muška njoftoi gjithashtu se 1 gushti do të vazhdojë të shënohet si Dita e Diasporës në Gorë, pavarësisht mungesës së mbështetjes financiare. Ai bëri të ditur se manifestimi do të organizohet edhe këtë vit, ku do të ndahen mirënjohje për qytetarë të merituar të Gorës dhe do të marrin pjesë tetë shoqëri kulturo-artistike. Programi i plotë, sipas tij, do të publikohet në ditët në vijim. Në reagimin e tij, Muška kritikoi edhe disa organizata joqeveritare, duke thënë se, sipas tij, ato janë themeluar kryesisht për përfitime financiare, ndërsa theksoi se misioni i Shoqatës “Biser”është krijimi i vlerave afatgjata në shërbim të komunitetit. Ai përfundoi duke shprehur bindjen se puna, e vërteta dhe rezultatet do të kenë gjithmonë më shumë vlerë sesa interesat personale apo politike, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë në manifestimin “Dita e Diasporës”, më 1 gusht në Gorë. / Dragash Info /