Lokale

SHBA “do të shkatërrojë” Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë

14.07.2026. 2 min čitanja

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka paralajmëruar një fushatë të re kundër Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) në Hagë, duke e akuzuar atë se po zhvillon një “luftë” kundër Shteteve të Bashkuara. Në një video – mesazh të publikuar në platformën X, Rubio deklaroi se sulmet ndaj SHBA-së nuk po kryhen me armë apo raketa, por përmes ligjeve, traktateve dhe “fuqia e së drejtës ndërkombëtare”. Gazeta amerikane Wall Street Journal publikoi një opinion të Rubios me titullin “Pse duam ta shkatërrojmë GJPN-në”. Departamenti amerikan i Shtetit sqaroi se synimi i Uashingtonit është të kufizojë aftësinë e gjykatës për të ndjekur penalisht ushtarët dhe zyrtarët amerikanë, apo për të cenuar sovranitetin e SHBA-së. GJPN, e themeluar në vitin 1998 dhe me seli në Hagë, merret me hetimin dhe ndëshkimin e krimeve të rënda, si gjenocidi, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. Kohët e fundit, ajo ka lëshuar edhe një urdhër-arresti ndaj presidentit rus Vladimir Putin. Mbi 120 vende janë anëtare të GJPN-së, mes tyre edhe Gjermania. Por SHBA-ja dhe Izraeli, ndër tjerësh, nuk e njohin juridiksionin e kësaj gjykate. Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe GJPN-së janë përkeqësuar ndjeshëm pas rikthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Administrata Trump vendosi sanksione ndaj kryeprokurorit Karim Khan dhe disa gjyqtarëve, pasi gjykata lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant. Tre nga gjyqtarët e sanksionuar kanë bërë të ditur se do të padisin SHBA-në për masat që ata i cilësojnë si “drakoniane”, e të cilat përfshijnë edhe ndalimin e hyrjes në territorin amerikan.