Lokale

Kryetari i fshatit Rrenc, Adrian Skeraj, i përgjigjet Xheladinit: Në kohën e atij takimi nuk isha kryetar i fshatit

11.07.2026. 2 min čitanja

  Kryetari i fshatit Rrenc, Adrian Skeraj, ka reaguar ndaj sqarimit publik të kryetarit të Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, lidhur me çështjen e deponisë inerte dhe pretendimin se nuk ishte ftuar në takimin e organizuar me banorët e fshatit. Përmes një reagimi publik, Skeraj ka theksuar se në kohën kur ishte organizuar ai takim nuk ushtronte funksionin e kryetarit të fshatit, por ishte vetëm një qytetar dhe një nga organizatorët që angazhoheshin kundër projektit të deponisë. Sipas tij, në atë periudhë fshati Rrenc nuk kishte as kryetar dhe as kryesi, ndërsa gjatë takimit, me kërkesën e banorëve, ishte organizuar zgjedhja e përfaqësuesve të fshatit. “Qytetarët më propozuan dhe më votuan njëzëri si kryetar të fshatit, si dhe zgjodhën edhe kryesinë”, thuhet në reagimin e Skerajt. Ai shton se, për këtë arsye, nuk kishte as detyrim dhe as kompetencë që ta ftonte kryetarin e komunës ose t’i njoftonte qytetarët për pjesëmarrjen e tij në atë takim. Skeraj thekson se tashmë, në cilësinë e kryetarit të fshatit Rrenc, merr përgjegjësinë për organizimin dhe njoftimin e takimeve të ardhshme. “Nga tani e tutje, unë jam kryetar i fshatit Rrenc. Prandaj, nëse në të ardhmen mendoni se nuk jeni ftuar në ndonjë takim ose qytetarët nuk janë informuar si duhet, atëherë mund të kërkoni përgjegjësi nga unë në cilësinë e kryetarit të fshatit”, ka deklaruar Skeraj. Reagimi i tij vjen pas sqarimit publik të kryetarit të Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, lidhur me zhvillimet e fundit dhe debatet rreth projektit të ndërtimit të deponisë inerte në fshatin Rrenc. / Dragash Info /