Lokale

Xheladini: Nuk kam kompetencë ligjore ta ndal deponinë inerte në Rrenc, vetëm Gjykata mund ta bëjë këtë

11.07.2026. 3 min čitanja

  Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka reaguar publikisht lidhur me debatet që po zhvillohen rreth projektit për ndërtimin e deponisë inerte në fshatin Rrenc, duke dhënë sqarime mbi kompetencat ligjore dhe procedurat që lidhen me këtë projekt.   Sipas tij, pas njoftimit të komunës për takimin me përfaqësuesit e fshatit janë shfaqur reagime të shumta nga banorët, çka e ka shtyrë të sqarojë publikisht situatën.   Xheladini ka bërë të ditur se kishte shprehur gatishmërinë që, së bashku me nënkryetarin Vetim Ramadani dhe drejtorin Qamil Kolloni, të merrte pjesë në takimin me banorët e Rrencit, por, sipas tij, kryetari i fshatit Ardian Skeraj nuk i kishte njoftuar banorët për këtë kërkesë dhe nuk i kishte ftuar në takim.   Ai ka theksuar se nuk ka kompetencë ligjore për të ndaluar ose anuluar projektin, pasi vendimi për ndërtimin e deponisë nuk është marrë nga ai, por bazohet në vendimet e Asamblesë Komunale, Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).   Sipas kryetarit, ndërprerja e projektit pa bazë ligjore do të përbënte shkelje të ligjit dhe do t’i shkaktonte komunës humbjen e rreth 250 mijë eurove financim, duke lënë Dragashin pa një deponi inerte.   Xheladini ka ritheksuar deklaratën e bërë gjatë takimit me përfaqësuesit e fshatit se “mbi mua janë vetëm Zoti dhe Gjykata”, duke sqaruar se vetëm një vendim i formës së prerë i gjykatës mund ta ndalojë realizimin e projektit.   Ai ka sqaruar gjithashtu se lokacioni i deponisë nuk është përcaktuar nga qeverisja aktuale, por është paraparë në Planin Zhvillimor Komunal (PZHK). Sipas tij, toka, që më parë ishte pronë e Pylltarisë, i është dhënë Komunës së Dragashit me vendim të Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e deponisë inerte.   Kryetari ka bërë të ditur se në territorin e Komunës së Dragashit ekzistojnë vetëm dy lokacione të miratuara për ndërtimin e deponive inerte, në zonat kadastrale të Rrencit dhe Orqushës.   Po ashtu, ai ka mohuar pretendimet se deponia po ndërtohet pranë lapidarit të dëshmorëve, duke theksuar se, sipas projektit, distanca nga lapidari deri te platoja e paraparë për hedhjen e mbeturinave është mbi 400 metra.   Në fund, Xheladini u ka bërë thirrje qytetarëve që debati të zhvillohet me kulturë, pa fyerje dhe i mbështetur në fakte, duke theksuar se vetëm në këtë mënyrë mund të merren vendime në interes të qytetarëve dhe në përputhje me ligjin.   / Dragash Info/