Lokale

Kryesia e Fshatit Rrencë reagon ndaj komunikatës së Komunës së Dragashit për projektin e deponisë

11.07.2026. 4 min čitanja

  Rrencë, Dragash – Kryesia e Fshatit Rrencë ka reaguar ndaj komunikatës së publikuar nga Komuna e Dragashit lidhur me projektin e planifikuar për ndërtimin e një deponie për mbeturina të riciklueshme, duke kundërshtuar përmbajtjen e saj dhe duke kërkuar sqarime publike nga institucionet komunale.   Në reagimin e saj, Kryesia shprehet se komunikata e Komunës është publikuar pas reagimeve të shumta të qytetarëve dhe se nuk pasqyron në mënyrë të drejtë qëndrimet e përfaqësuesve të fshatit.   Sipas Kryesisë, para publikimit të reagimeve në opinion, përfaqësuesit e fshatit kishin kërkuar takim me zyrtarët komunalë për të zhvilluar një dialog dhe për të gjetur zgjidhje kompromisi, e jo, siç thuhet në reagim, për të ndërmarrë veprime kategorike.   Po ashtu, Kryesia ngre shqetësime lidhur me mënyrën e planifikimit të projektit, duke theksuar se konsultimet me banorët dhe vlerësimet në terren është dashur të zhvilloheshin para se të merrej vendimi për një projekt të tillë.   Në deklaratë thuhet gjithashtu se vetë komunikata e Komunës dëshmon se ekzistojnë dallime të qarta mes qëndrimeve të institucioneve komunale dhe përfaqësuesve të fshatit.   Lidhur me pretendimin e Komunës se një pjesë e informacioneve të publikuara kanë qenë interpretime të pasakta, Kryesia kërkon që institucioni të sqarojë publikisht se cilat janë konkretisht ato interpretime që i konsideron të pasakta.   Në fund të reagimit, Kryesia thekson se veprimet e saj nuk burojnë nga egoja apo interesa personale, por nga përgjegjësia për mbrojtjen e vendbanimit dhe interesit të banorëve.     —   Deklarata e plotë e Kryesisë së Fshatit Rrencë   > REAGIM i Kryesisë së Fshatit lidhur me informatën e Komunës së Dragashit e plasuar në mesnatë me mentalitet mesjetar por me rrethana bashkëkohore, e plasuar vetëm e vetëm pas reagimeve masive të qytetarëve.   Në veçanti lidhur me paragrafin e cituar nga institucioni vendimmarrës në këtë rast Komuna e Dragashit: “Lidhur me reagimet e publikuara pas takimit, komuna konsideron se një pjesë e informacioneve të shpërndara nuk pasqyrojnë…”  E para, Kryesia e Fshatit Rrencë kërkoi takim me përfaqësuesit komunalë për sqarime dypalëshe. Kërkuam veprime kompromisi e jo veprime kategorike, gjë që u citua edhe në sqarimin tonë për opinionin publik.   E dyta, sa i përket kostos, natyrës dhe çështjeve të tjera që lidhen me projektin, në momentin kur Komuna kishte planifikuar një depo të tillë, takimet, konsultimet dhe vlerësimet në terren është dashur të zhvilloheshin paraprakisht.   E treta, qëndrimet e Komunës janë antagoniste me qëndrimet e të deleguarve të fshatit, përkatësisht Kryesisë, ndërsa edhe vetë informata e publikuar në “mesnatë”e dëshmon këtë fakt.   Sa i përket thirrjes që qytetarët “të mos bien pre e interpretimeve të pasakta”, kërkojmë nga institucionet vendimmarrëse të tregojnë konkretisht se cilat kanë qenë interpretimet e pasakta në sqarimin e Kryesisë drejtuar qytetarëve.   Nuk ndërmarrim asnjë veprim si pasojë e egos, krekosjes apo mendjemadhësisë, por si përgjegjësi ndaj rrethanave të patjetërsueshme që lidhen me vendbanimet tona.   Nuk bëhet fjalë për zbutje apo ngurtësim qëndrimesh, por për veprime që përcaktohen nga rrethanat.   P.S. Dashuria për vendin tonë është një rrugëtim gjenetik.   Me korrektësi, ndershmëri, modesti dhe vendosmëri.   Deklaratë e përbashkët e Kryesisë së Fshatit Rrencë   Kryetari: Adrian (Y.) Skeraj