Lokale

Komuna e Dragashit sqaron projektin e deponisë në Rrenc: Do të pranojë vetëm mbetje inerte

11.07.2026. 4 min čitanja

Komuna e Dragashit ka reaguar ndaj diskutimeve dhe shqetësimeve të ngritura lidhur me projektin për ndërtimin e një deponie në fshatin Rrenc, duke sqaruar se bëhet fjalë ekskluzivisht për një deponi të mbetjeve inerte, e cila nuk do të shërbejë për depozitimin e mbetjeve komunale, organike apo materialeve të tjera që mund të rrezikojnë shëndetin publik dhe mjedisin.   Sipas njoftimit zyrtar, projekti është planifikuar në përputhje me Planin Zhvillimor Komunal, vendimet e Kuvendit Komunal dhe vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dhënien në shfrytëzim të lokacionit përkatës. Komuna njofton se dokumentacioni teknik është përgatitur dhe mjetet financiare për realizimin e projektit tashmë janë siguruar.   “Kjo deponi është projektuar ekskluzivisht për grumbullimin dhe menaxhimin e mbetjeve inerte, si: dheu, rëra, gurët, betoni, tullat, tjegullat dhe mbetjet tjera nga rrënimet e objekteve. Në këtë deponi nuk do të depozitohen mbetje komunale, mbetje organike, mbetje ushqimore, kafshë të ngordhura, eshtra të kafshëve apo materiale të tjera që shkaktojnë ndotje të ajrit, erëra të pakëndshme ose rreziqe për shëndetin publik”, thuhet në njoftim.       Komuna bën të ditur se deponia do të ndërtohet sipas standardeve përkatëse dhe do të jetë e pajisur me rrethim, hyrje të kontrolluar, objekt për rojën, peshore për matjen e materialeve, eskavator dhe infrastrukturën tjetër të nevojshme për funksionim të sigurt dhe të kontrolluar.   Sipas autoriteteve komunale, projekti konsiderohet i domosdoshëm për menaxhimin e rregullt të mbetjeve inerte në territorin e komunës, duke parandaluar hedhjen e tyre në vende të palejuara dhe duke kontribuar në mbrojtjen e mjedisit, ruajtjen e pastërtisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Dragashit, i cili synon zhvillimin e turizmit dhe mbrojtjen e vlerave natyrore.   Në njoftim thuhet se gjatë takimit me përfaqësuesit e fshatit Rrenc, kryetari i Komunës, Bexhet Xheladini, së bashku me nënkryetarin Vetim Ramadani dhe drejtorin për Financa dhe Buxhet, Qamil Kolloni, dëgjuan me vëmendje shqetësimet dhe qëndrimet e banorëve.   Komuna thekson se respekton çdo kontribut dhe mendim të qytetarëve, por rithekson se vendimmarrja institucionale bazohet në ligjet në fuqi, dokumentet e planifikimit hapësinor dhe interesin publik.   “Lidhur me reagimet e publikuara pas takimit, Komuna konsideron se një pjesë e informacioneve të shpërndara nuk e pasqyrojnë në tërësi përmbajtjen e diskutimeve dhe kanë krijuar keqkuptime rreth natyrës së projektit. Për këtë arsye, ftohen të gjithë qytetarët të informohen nga burimet zyrtare të Komunës dhe të mos bien pre e interpretimeve të pasakta”, thuhet në njoftim.   Në përfundim, Komuna e Dragashit rithekson përkushtimin për transparencë, dialog me qytetarët dhe realizimin e projekteve në interes publik, duke garantuar se projekti nuk është i drejtuar kundër asnjë komuniteti apo vendbanimi, por synon përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve dhe mbrojtjen e mjedisit për të gjithë qytetarët.   Sipas Komunës, gjatë këtij viti një deponi e ngjashme për mbetje inerte do të ndërtohet edhe në rajonin e Gorës. / Dragash Info /