Karvani Shëndetësor u ofroi qytetarëve të Dragashit këshilla dhe kontrolle falas
Dragash – Në qytetin e Dragashit u organizua aktiviteti “Karvani Shëndetësor”, me qëllim promovimin e shëndetit, parandalimin e sëmundjeve kronike dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e një jetese të shëndetshme. Gjatë aktivitetit, profesionistët shëndetësorë të QKMF-së “Adem Berisha” realizuan matjen e tensionit arterial dhe nivelit të sheqerit në gjak, ndërsa qytetarëve u ofruan këshilla profesionale mbi ushqyerjen e shëndetshme, aktivitetin fizik, kontrollet e rregullta mjekësore dhe mënyrat e parandalimit të faktorëve të rrezikut që ndikojnë në shëndet. Pjesëmarrësit patën mundësinë të bashkëbisedojnë me profesionistët shëndetësorë dhe të informohen mbi rëndësinë e zbulimit të hershëm të sëmundjeve jo-ngjitëse, duke marrë rekomandime për ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit. Organizatorët falënderuan OJQ-në “Syri i Vizionit” dhe projektin AQH (Accessible Quality Healthcare) për organizimin e këtij aktiviteti, si dhe stafin e QKMF-së “Adem Berisha” për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë ofrimit të shërbimeve dhe këshillave shëndetësore. Ky aktivitet synon të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve se parandalimi dhe kontrollet e rregullta shëndetësore janë ndër faktorët më të rëndësishëm për një jetë më të shëndetshme.