Lokale

Kryesia e fshatit Rrenc: “Negociatat me Komunën për deponinë kanë përfunduar, do të ndiqen rrugë të tjera”

10.07.2026. 2 min čitanja

Kryesia e fshatit Rrenc ka reaguar pas takimit të zhvilluar me përfaqësuesit e Komunës së Dragashit lidhur me projektin për ndërtimin e deponisë për mbetje të riciklueshme në hyrje të fshatit.   Sipas reagimit, përfaqësuesit komunalë kanë bërë të ditur se projekti do të vazhdojë dhe se, sipas tyre, vetëm dy faktorë mund ta ndalin atë: Zoti dhe gjykata. Po ashtu, sipas Kryesisë së fshatit, gjatë takimit është thënë se reagimi qytetar nuk ka peshë në këtë proces.   Në reagim thuhet se pala përfaqësuese e banorëve e konsideron të përfunduar fazën e negociatave me institucionet komunale dhe se, nga ky moment, do të shqyrtohen rrugë të tjera për kundërshtimin e projektit.   Kryesia e fshatit Rrenc thekson gjithashtu se gjatë takimit është deklaruar se Komuna nuk ka luksin të humbasë rreth 250 mijë euro të planifikuara për këtë projekt, i cili është cilësuar nga përfaqësuesit komunalë si “profitabil për qytetarët”.   Sipas reagimit, qëndrimet e Komunës dhe të banorëve mbeten të kundërta, ndërsa Kryesia njofton se ky sqarim është bërë për të informuar opinionin publik dhe banorët për fazën në të cilën ndodhet procesi.   Komuna e Dragashit deri më tani nuk ka dalë me një reagim publik lidhur me këto pretendime të ngritura nga Kryesia e fshatit Rrenc.   /DRAGASH INFO/