Qendrore

Burri i Albulena Haxhiut lëshon pe: Anëtarët e VV-së në KQZ votuan pro certifikimit të rezultateve, përfshirë edhe Listën Serbe

08.07.2026. 2 min čitanja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar sot rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, me nëntë vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim.   Gjatë mbledhjes, dy anëtarët e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi dhe Violeta Salihu, votuan pro certifikimit të rezultateve, të cilat përfshijnë edhe rezultatin e Listës Serbe.   Kjo ka ngjallur reagime, pasi në mbledhjet e mëhershme përfaqësuesit e VV-së kishin kundërshtuar votimet që përfshinin Listën Serbe, duke kërkuar që votimi të mos bëhej në pako. Në këtë mbledhje, ata nuk paraqitën kundërshtime dhe votuan pro certifikimit.   Në një reagim publik, Alban Krasniqi, bashkëshorti i ministres në detyrë Albulena Haxhiu dhe anëtar i VV-së në KQZ, u përmend për ndryshimin e qëndrimit krahasuar me mbledhjet e mëparshme. Kujtohet se në gusht të vitit të kaluar ai kishte shpalosur mesazhin “Po pluralizmit, jo terrorizmit”, të drejtuar ndaj Listës Serbe.   Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, deklaroi se rezultatet e certifikuara janë të njëjta me ato të shpallura më herët, ndërsa bëri të ditur edhe ndryshimet në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Sipas tij, pas lirimit të mandateve nga Ardian Gjini dhe Daut Haradinaj, deputetë do të bëhen Bekë Berisha dhe Burim Ramadani.   Sipas rezultateve të certifikuara, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.13 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 19.44 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 16.69 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6.74 për qind, ndërsa Lista Serbe 5.40 për qind.   /Dragash Info/