Ish-shefi i prokurimit në KEK, Ymer Dragusha, dënohet me dy vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ish-shefin e prokurimit në KEK, Ymer Dragushën, për katër vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, duke e dënuar me një dënim unik prej dy vjetësh burgim. Sipas aktgjykimit, për pikën e parë të aktakuzës Dragusha është dënuar me një vit burgim, ndërsa për tri pikat e tjera me nga tetë muaj burgim për secilën. Në bazë të dispozitave të Kodit Penal, gjykata i ka shqiptuar dënimin unik prej dy vjetësh, i cili do të ekzekutohet brenda 15 ditëve nga dita kur aktgjykimi të marrë formë të prerë. Gjykata gjithashtu ka udhëzuar Avokaturën Shtetërore që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në procedurë të rregullt civile. Përveç dënimit me burgim, Dragusha është obliguar të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale, përkatësisht 100 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 100 euro për Fondin e Kompensimit të Viktimave të Krimit. /Dragash Info/