Botë

“Mos blini te shqiptarët” – Kandiq u bën thirrje studentëve serbë të mbështesin furrën e bukës së një shqiptari në Krushevac

05.07.2026. 3 min čitanja

Një poster me mesazhe që nxisin bojkotimin e një furre buke në pronësi të një shqiptari është vendosur para objektit në Krushevc të Serbisë, duke shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik.   Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë në Serbi, Aleksandar Radovanoviq, publikoi fotografi të posterit në rrjetin social X, ku shkruhej: “Mos e harro Gazimestanin. Mos blini te shqiptarët.” Në poster përdoret edhe termi fyes “Shiptar”, i cili konsiderohet nënçmues ndaj shqiptarëve.   Radovanoviq e dënoi ashpër këtë veprim, duke kërkuar që autorët të mbahen përgjegjës sipas ligjit për nxitje të urrejtjes kombëtare.   «“Politika e masave reciproke ndaj shqiptarëve në Serbi duhet të dënohet publikisht dhe të ndalet, ndërsa ai që e ka organizuar këtë duhet të përgjigjet para ligjit për nxitje të urrejtjes kombëtare”, ka shkruar ai.»   Reagimit iu bashkua edhe themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, e cila u bëri thirrje studentëve serbë që protestojnë prej muajsh të mblidhen para furrës së bukës në shenjë solidariteti.   «“Mblidhuni para furrës së bukës në Krushevc, tregoni solidaritet dhe se jeni kundër të gjitha veprimeve etno-nacionaliste”, ka shkruar Kandiq në platformën X.»   Ngjarja vjen pak ditë pas zhvillimeve të 28 qershorit në Gazimestan, ku gjatë manifestimit të Vidovdanit, Policia e Kosovës ndaloi 37 persona, kryesisht shtetas të Serbisë. Sipas autoriteteve, 36 prej tyre u proceduan dhe u dënuan nga Gjykata Themelore në Prishtinë për thirrje provokuese me elemente të nxitjes së përçarjes, duke u gjobitur me nga 700 euro. Shtetasve të huaj, përveç gjobës, u është shqiptuar edhe ndalesë hyrjeje në Kosovë për një periudhë trevjeçare.   Rasti në Krushevc ka nxitur reagime të shumta në Serbi, ndërsa organizata dhe aktivistë për të drejtat e njeriut kanë kërkuar që gjuha e urrejtjes dhe veprimet diskriminuese të dënohen dhe të parandalohet përshkallëzimi i tensioneve ndëretnike.   🗞️ Dragash Info © www.dragash.info