Lokale

Komuna e Dragashit reagon ndaj pretendimeve të LVV-së: Nuk ka aktakuza për korrupsion, rasti nuk lidhet me detyrën zyrtare

23.06.2026. 2 min čitanja

Dragash, 23 qershor 2026 – Komuna e Dragashit ka reaguar ndaj postimit të fundit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, duke i cilësuar si të pasakta pretendimet e paraqitura dhe duke kërkuar informim të drejtë të opinionit publik.   Në reagimin e saj, Komuna thekson se gjatë pesë viteve të qeverisjes lokale është udhëhequr me përkushtim ndaj ligjit, transparencës dhe interesit publik, duke nënvizuar se deri më sot nuk ekziston asnjë aktakuzë apo vendim gjyqësor që dëshmon për përfshirjen e institucioneve komunale në raste korrupsioni apo keqpërdorimi të detyrës zyrtare.   Sipas komunës, rasti i përmendur nga LVV-ja nuk ka lidhje me ushtrimin e detyrës zyrtare të personit të përfshirë në çështje. Në reagim thuhet se, bazuar në informacionet e deritanishme, bëhet fjalë për rrethana private dhe jo për veprimtari profesionale të tij si zyrtar ligjor në Komunën e Dragashit.   Po ashtu, Komuna sqaron se procedurat që lidhen me blerjen e një pasurie në Komunën e Ferizajt janë zhvilluar para punësimit të personit në fjalë në administratën komunale dhe se ato janë realizuar sipas marrëveshjes ndërmjet palëve, pa ndonjë lidhje me institucionin komunal.   Në reagim theksohet gjithashtu respektimi i plotë i pavarësisë së organeve të drejtësisë dhe gatishmëria për bashkëpunim me Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatat për çdo çështje që kërkon sqarim institucional.   Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka deklaruar se mbetet i përkushtuar së bashku me ekipin e tij për të vazhduar realizimin e projekteve dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët, duke qeverisur me përgjegjësi, transparencë dhe integritet.   /Dragash Info/