Kampionati Kombëtar Shqiptar i Paragliding përmbyll me sukses edicionin e 15-të në Liqenin e Ujmanit
Ujman, 22 qershor 2026 – Për tri ditë me radhë, Liqeni i Ujmanit ishte qendër e sporteve ajrore, duke mirëpritur edicionin e 15-të të “Kampionatit Kombëtar Shqiptar të Paragliding”, ku morën pjesë sportistë nga Kosova dhe Shqipëria. Me mbështetjen e institucioneve të Kosovës, garuesit zhvilluan fluturime dhe gara mbi një nga zonat më atraktive natyrore të vendit. Në ceremoninë përmbyllëse të kampionatit, morën pjesë përfaqësues institucionalë, ndërsa çmimet për fituesit u ndanë në prani të Zëvendësministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përgëzoi garuesit për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë kampionatit, duke theksuar rëndësinë e aktiviteteve sportive që promovojnë jetën aktive dhe bashkëpunimin ndërmjet sportistëve shqiptarë. Sipas tij, ky kampionat jo vetëm që kontribuon në zhvillimin e sporteve të aventurës, por gjithashtu promovon potencialin e jashtëzakonshëm turistik dhe sportiv të Kosovës. Ai theksoi se institucionet do të vazhdojnë të mbështesin iniciativa të tilla që promovojnë bukuritë natyrore të vendit dhe forcojnë imazhin e Kosovës si destinacion i rëndësishëm për sportet ajrore dhe turizmin sportiv. Edicioni i 15-të i Kampionatit Kombëtar Shqiptar të Paragliding u vlerësua si një organizim i suksesshëm, duke sjellë së bashku sportistë, entuziastë dhe dashamirë të natyrës në një ngjarje që promovon sportin dhe turizmin.
/Dragash Info/