Lokale

Zv. kryesuesi i KK DRAGASH, Danis Hodža apelon për sanimin urgjent të rrugës në Restelicë dhe zgjidhjen e problemit me materialet ndërtimore

22.06.2026. 2 min čitanja

Restelicë, Dragash – zv. Kryesuesi dhe Asamblisti i Kuvendit Komunal të Dragashit nga Partia Unike Gorane, Danis Hodža, i është drejtuar me një apel publik kryetarit të Komunës së Dragashit dhe institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për sanimin e një pjese të rrugës në hyrje të fshatit Restelicë.   Sipas Hodžës, segmenti rrugor nga vendi i njohur si “Tunelji” deri te “Ura e Epërme” është dëmtuar gjatë realizimit të punimeve në rrjetin e tensionit të lartë, ku është prerë dhe dëmtuar shtresa e asfaltit.   Ai thekson se gjendja aktuale paraqet rrezik për banorët dhe për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, veçanërisht në prag të sezonit veror, kur pritet ardhja e një numri të madh mërgimtarësh në vendlindje.   “Apelojmë që Komuna e Dragashit dhe shërbimet kompetente të ndërmarrin sa më shpejt masat e nevojshme për sanimin dhe asfaltimin e kësaj pjese të rrugës, në mënyrë që të garantohet siguria e qytetarëve,” thuhet në reagimin e tij.   Përveç çështjes së rrugës, Hodža ka ngritur shqetësim edhe për grumbullimin dhe deponimin e materialeve ndërtimore në fshat. Ai ka kërkuar nga komuna që të caktojë një lokacion të përshtatshëm ku kompanitë ndërtimore mund të depozitojnë materialet e tyre, duke shmangur rrezikimin e sigurisë së banorëve, dëmtimin e pamjes së fshatit dhe krijimin e problemeve shtesë për komunitetin lokal.   Asamblisti theksoi se Partia Unike Gorane do të vazhdojë të mbrojë interesat e qytetarëve dhe të kërkojë zgjidhje konkrete për problemet që ndikojnë në jetën e përditshme të banorëve të Restelicës dhe të gjithë rajonit të Gorës.   Ai ka kërkuar reagim të shpejtë nga institucionet kompetente dhe ndërmarrjen e hapave konkretë për adresimin e këtyre çështjeve.   /Dragash Info/