Qeveria kërkon mbështetje nga SHBA për gazifikimin e qymyrit, jo përfshirje në rrjetin rajonal të gazit
Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështetje teknike dhe investime për projekte që lidhen me gazifikimin e qymyrit, në vend të përfshirjes në projektin rajonal për gazin natyror të lëngshëm (LNG), për të cilin SHBA ka shprehur interes të veçantë. Sipas raportimeve të mediave, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i ka dërguar një letër Ambasadës Amerikane në Prishtinë, ku propozon shqyrtimin e mundësisë për ringjalljen e teknologjisë së gazifikimit të linjitit, duke u mbështetur në rezervat e mëdha të qymyrit që posedon Kosova. Në letër theksohet se Kosova ka rreth 12.44 miliardë tonë rezerva të linjitit, ndërsa kërkohet bashkëpunim me ekspertë dhe investitorë amerikanë për të vlerësuar realizueshmërinë e projekteve të tilla energjetike. Ndërkohë, përfaqësues të SHBA-së kanë vazhduar të mbështesin përfshirjen e Kosovës në rrjetin rajonal të gazit amerikan, duke e konsideruar atë të rëndësishëm për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ekspertët e energjisë kanë ngritur pikëpyetje mbi leverdishmërinë ekonomike dhe përputhshmërinë mjedisore të projekteve të gazifikimit të qymyrit, duke theksuar se ato mund të përballen me sfida financiare dhe me standardet e Bashkimit Evropian. Çështja ka nxitur reagime edhe në skenën politike, ku partitë opozitare kanë kërkuar që Kosova të bëhet pjesë e projektit rajonal të gazit, ndërsa përfaqësues të pushtetit kanë deklaruar se vendimet do të merren në përputhje me interesat strategjike të vendit. Kosova aktualisht mbështetet kryesisht në prodhimin e energjisë nga qymyri dhe mbetet pa infrastrukturë të gazit natyror. /Dragash Info/