Qendrore

Inflacioni i lartë po rëndon bizneset dhe po ul standardin e jetesës në Kosovë

21.06.2026. 3 min čitanja

Rritja e vazhdueshme e çmimeve po vazhdon të ushtrojë presion mbi qytetarët dhe bizneset në vend, ndërsa ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se inflacioni i lartë po ndikon drejtpërdrejt në uljen e fuqisë blerëse dhe në ngadalësimin e investimeve.   Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka vlerësuar se shqetësimet ekonomike po mbeten në hije të krizave politike dhe debateve për pushtet. Sipas tij, inflacioni që ka arritur në 7.5 për qind gjatë vitit 2026 përbën një alarm serioz për ekonominë e vendit.   Ai theksoi se qytetarët po përballen me vështirësi të shtuara, pasi pagat nuk po përshtaten me ritmin e rritjes së çmimeve, duke shkaktuar rënie të standardit të jetesës dhe të fuqisë blerëse.   Gërxhaliu ngriti shqetësime edhe për korrupsionin, punësimet politike dhe mungesën e lirisë së mediave, duke theksuar se stabiliteti politik është i domosdoshëm për të adresuar sfidat ekonomike me të cilat po përballet vendi.   Ndërkohë, eksperti i ekonomisë Ismet Mulaj tha se inflacioni po i varfëron qytetarët dhe po ndikon negativisht në aktivitetin e bizneseve. Sipas tij, kur qytetarët shpenzojnë më pak dhe fokusohen vetëm në nevojat bazike, bizneset dekurajohen për investime të reja.   Mulaj vlerësoi se Kosova duhet të përqendrohet në realizimin e projekteve të mëdha zhvillimore që do të tërhiqnin investime dhe do të nxisnin rritjen ekonomike. Ai theksoi se një pjesë e konsiderueshme e kapitalit të kosovarëve po investohet jashtë vendit, veçanërisht në Shqipëri, ndërsa nevojitet krijimi i kushteve më të favorshme për investime brenda Kosovës.   Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni në prill 2026 arriti në 7.5 për qind, niveli më i lartë në tri vitet e fundit, ndërsa në maj u regjistrua në 6.8 për qind. Këto shifra mbeten dukshëm më të larta se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila llogaritet rreth 3.2 për qind.   Ekspertët vlerësojnë se përballja me inflacionin kërkon më shumë investime prodhuese, mbështetje për sektorin privat dhe politika të qëndrueshme ekonomike që do të ndikonin në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillimin afatgjatë të ekonomisë së Kosovës.   /Dragash Info/