Botë

MEDIA SPANJOLLE: SHQIPËRIA, “PARAJSA E FUNDIT E PËRBALLUESHME” E EVROPËS

21.06.2026. 3 min čitanja

Media prestigjioze spanjolle “Noticias del Vino” e ka cilësuar Shqipërinë si “Parajsën e fundit të përballueshme të Evropës” për vitin 2026, duke e renditur vendin ndër destinacionet turistike më tërheqëse për vizitorët nga e gjithë bota.   Sipas artikullit, Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në rrjetet sociale falë kombinimit të çmimeve të përballueshme, bukurive natyrore dhe trashëgimisë së pasur kulturore.   Në jug të vendit, Riviera Shqiptare vazhdon të mahnisë turistët me plazhet e saj të mrekullueshme. Ksamili veçohet për ujërat kristalore, ndërsa Dhërmiu për atmosferën më të qetë dhe autentike. Ndër atraksionet më të vizituara përmenden edhe Syri i Kaltër, një nga mrekullitë natyrore të Shqipërisë, si dhe Banjat e Benjës pranë urës historike osmane.   Për adhuruesit e historisë dhe kulturës, artikulli vë në pah qytetet e mbrojtura nga UNESCO: Beratin, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”, Gjirokastrën me arkitekturën e saj unike prej guri dhe Parkun Arkeologjik të Butrintit, ku ndërthuren gjurmë të qytetërimeve të ndryshme ndër shekuj.   Vëmendje të veçantë ka marrë edhe veriu i Shqipërisë. Alpet Shqiptare, shtegu i famshëm Theth–Valbonë dhe udhëtimi panoramik me traget në Liqenin e Komanit përshkruhen si përvoja që rivalizojnë peizazhet më të bukura alpine të Evropës.   Media spanjolle vlerëson gjithashtu mikpritjen tradicionale shqiptare, gastronominë vendase dhe pijet karakteristike, ndërsa Tirana përshkruhet si një kryeqytet modern, energjik dhe plot ngjyra.   Mbi të gjitha, artikulli thekson se Shqipëria ka lënë pas stereotipet e vjetra dhe sot konsiderohet një nga vendet më të sigurta për turistët, duke përmendur si vlerë të veçantë traditën shqiptare të besës.   📈 Turizmi shqiptar po vazhdon të njohë rritje të qëndrueshme, ndërsa vlerësime të tilla nga mediat ndërkombëtare po forcojnë imazhin e Shqipërisë si një destinacion unik dhe gjithnjë e më të kërkuar në Evropë.   /Dragash Info/