Motomitingu Tradicional “Enduro Sharri” Bashkon Motoristë nga Kosova dhe Shqipëria në Dragash
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të Komunës së Dragashit, sot u mbajt Motomitingu tradicional i organizuar nga Klubi i Motoristëve “Enduro Sharri”, duke mbledhur dhjetëra motoristë, mysafirë dhe qytetarë nga të dy anët e kufirit. Në këtë aktivitet morën pjesë kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, kryesuesi i Kuvendit Komunal, anëtarë të kabinetit komunal, organizatorët e manifestimit, si dhe përfaqësues nga Bashkia e Kukësit. Pas ceremonisë së hapjes, të pranishmit patën mundësinë të ndjekin performancat e motoristëve nëpër rrugët e qytetit, ndërsa më pas pjesëmarrësit vazhduan aventurën nëpër shtigjet malore të Sharrit, duke promovuar bukuritë natyrore dhe potencialin turistik të rajonit në të dy anët e kufirit Kosovë–Shqipëri. Organizatorët theksuan se ky aktivitet sportiv dhe turistik ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar, promovimin e turizmit malor dhe krijimin e urave të miqësisë mes komuniteteve dhe institucioneve. Me këtë rast, kryetari Xheladini falënderoi Klubin e Motoristëve “Enduro Sharri” për organizimin, Bashkinë e Kukësit për bashkëpunimin dhe mbështetjen, si dhe të gjithë pjesëmarrësit që kontribuuan në realizimin me sukses të këtij manifestimi. 📍 Motomitingu “Enduro Sharri” vazhdon të mbetet një nga aktivitetet më të rëndësishme sportive dhe turistike në Dragash, duke promovuar natyrën, sportin dhe bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë.
/Dragash Info/