Kosova mposht bindshëm Malin e Zi, shkruan histori në Ligën Evropiane të Volejbollit
Kombëtarja e Kosovës në volejboll për femra ka shënuar një fitore të madhe dhe historike, duke e mposhtur Kombëtaren e Malit të Zi me rezultat të pastër 3:0 në kuadër të CEV Volleyball European League. Vashat dardane zhvilluan një paraqitje të jashtëzakonshme në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, duke dominuar ndeshjen nga fillimi deri në fund. Kosova fitoi të tre setet me rezultatet 25:19, 25:21 dhe 25:15, duke mos i lënë hapësirë kundërshtarit për rikthim në lojë. Me lojë të disiplinuar, angazhim maksimal dhe shpirt të lartë garues, volejbollistet kosovare dëshmuan progresin e madh që po e bën ky sport në vendin tonë. Kjo fitore merr peshë edhe më të madhe duke pasur parasysh se Mali i Zi konsiderohej një prej skuadrave më konkurruese në këtë edicion të garës. Përkrahja e publikut në Prishtinë ishte një shtysë e rëndësishme për ekipin, i cili arriti një sukses që do të mbetet gjatë në kujtesën e sportdashësve kosovarë. Me këtë triumf, Kosova konfirmon se po avancon vazhdimisht në arenën ndërkombëtare të volejbollit dhe po dëshmon se mund të rivalizojë me ekipet më të mira të rajonit dhe më gjerë. /Dragash Info/