Deri kur me standarde të dyfishta?
Shkruan: Muharrem Qafleshi Rasti i ish-drejtorit të Shkollës së Mesme të Lartë “Ruzhdi Berisha” në Dragash, Shukri Nebiu, vazhdon të ngjallë debat në opinionin publik dhe të hapë diskutime lidhur me mënyrën e zbatimit të ligjit dhe standardeve institucionale në sektorin e arsimit. Çështja lidhet me pranimin e pesë nxënësve shtesë në klasat e dhjeta të drejtimit të Infermierisë pas datës 11 shtator 2023, përtej numrit të paraparë në planin e Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA). Për këtë veprim u iniciua procedurë disiplinore dhe u formua një komision për shqyrtimin e rastit. Sipas pretendimeve të z. Nebiu, ai kishte kërkuar përjashtimin e dy anëtarëve të komisionit për shkak të raporteve jo të mira me ta dhe familjarët e tyre, por kërkesa nuk ishte marrë parasysh. Gjithashtu, është ngritur dilema nëse në përbërje të komisionit duhej të ishte përfshirë edhe zyrtari juridik i DKA-së, i cili do të mund të ofronte interpretim profesional të dispozitave ligjore dhe nënligjore që rregullojnë procesin e regjistrimit të nxënësve. Sipas vendimit të institucioneve komunale, z. Nebiu është shpallur përgjegjës për shkelje të rëndë disiplinore, me arsyetimin se kishte regjistruar pesë nxënës pa pëlqimin paraprak të DKA-së dhe në kundërshtim me planin e miratuar të regjistrimit. Pa dyshim, bashkëpunimi dhe koordinimi me DKA-në janë obligime të çdo drejtori shkolle. Megjithatë, mbetet për diskutim nëse ky veprim përbën një shkelje të rëndë disiplinore apo një tejkalim procedural që mund të trajtohej me masa të tjera administrative. Sipas planit të DKA-së, në klasën përkatëse ishte paraparë regjistrimi i 24 nxënësve. Ndërkohë, Udhëzimi Administrativ Nr. 22/2013 për Numrin Maksimal të Nxënësve për Klasë dhe Raportin Mësimdhënës–Nxënës përcakton se në arsimin e mesëm një paralele mund të ketë deri në 32 nxënës, ndërsa maksimumi i lejuar është 35 nxënës. Kjo do të thotë se pranimi i pesë nxënësve shtesë nuk e kishte tejkaluar kufirin maksimal të përcaktuar nga aktet nënligjore në fuqi. Pranimi i nxënësve përtej planifikimeve fillestare nuk është praktikë e panjohur në sistemin arsimor të Kosovës. Në raste të ndryshme, drejtorë shkollash janë përballur me kërkesa shtesë për regjistrim nga prindërit dhe nxënësit, duke kërkuar zgjidhje për vazhdimin e shkollimit të tyre. Për këtë arsye, një pjesë e qytetarëve e kanë parë rastin e Shukri Nebiut si një trajtim selektiv, duke ngritur dyshime për motive që shkojnë përtej aspektit profesional. Këto dyshime shtohen edhe nga fakti se z. Nebiu i përket një subjekti tjetër politik nga ai që udhëheq aktualisht pushtetin lokal. Megjithatë, përtej emrave dhe bindjeve politike, rasti hap një debat më të gjerë: a po zbatohen standardet e njëjta për të gjithë? Po aq e rëndësishme është edhe çështja e ushtruesve të detyrës në shkollat e Komunës së Dragashit. Sipas Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, neni 35, paragrafi 3, një zyrtar publik nuk mund të caktohet si ushtrues detyre për më shumë se gjashtë muaj, me mundësi vazhdimi edhe për gjashtë muaj të tjerë. Ndërsa paragrafi 5 përcakton se çdo vendim i marrë pas kalimit të këtij afati është i paligjshëm. Nëse në shkollat e komunës ka ushtrues detyre që e kanë tejkaluar afatin maksimal ligjor prej një viti, atëherë lind pyetja: pse nuk ngrihen procedura dhe përgjegjësi edhe për institucionet që kanë bërë emërime të tilla? Në një shtet demokratik, ligji duhet të vlejë njësoj për të gjithë. Nëse një veprim konsiderohet shkelje e rëndë në një rast, i njëjti standard duhet të zbatohet në çdo rast të ngjashëm. Përndryshe, krijohet përshtypja se vendimet nuk mbështeten vetëm në ligj, por edhe në faktorë të tjerë. Institucionet publike kanë detyrim të garantojnë drejtësi, transparencë dhe trajtim të barabartë për secilin qytetar. Vetëm në këtë mënyrë mund të ruhet besimi i publikut në institucionet arsimore dhe në sundimin e ligjit. Deri kur do të vazhdojnë të ngatërrohen kriteret profesionale me interesat politike? Kjo mbetet një pyetje që pret përgjigje. Ky shkrim paraqet qëndrimet dhe opinionet e autorit dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimin editorial të medias.
/Dragash Info/