Qendrore

Qeveria Kurti emërton një rrugë në veri me emrin e Zoran Gjingjiqit, ish-kryeministrit serb që kishte kërkuar rikthimin e forcave serbe në Kosovë

03.06.2026. 2 min čitanja

width= Mitrovicë e Veriut – Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur emrin e ish-kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, për një rrugë në Mitrovicën e Veriut.   Sipas raportimeve të mediave lokale në veri të vendit, gjatë vendosjes së tabelave me emërtimin e ri ka qenë e pranishme edhe ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli.   Vendimi ka nxitur reagime dhe diskutime në opinion, duke pasur parasysh që Gjingjiq, gjatë mandatit të tij si kryeministër i Serbisë, kishte kërkuar nga NATO rikthimin e forcave serbe në Kosovë.   Sipas raportimeve të BBC-së nga viti 2003, katër vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe largimit të forcave serbe, Gjingjiq i kishte dërguar një letër komandantit të NATO-s për Evropën Juglindore, Admiralit Gregory Johnson, ku kërkonte rikthimin e rreth një mijë ushtarëve serbë në Kosovë.   Në atë letër, ai kishte shprehur shqetësimin për mundësinë që UNMIK-u t’u transferonte disa përgjegjësi sigurie institucioneve lokale të shqiptarëve të Kosovës, duke argumentuar se një zhvillim i tillë mund të ndikonte në procesin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës.   Gjingjiq kishte deklaruar se rikthimi i forcave serbe do të shërbente për të mbushur një boshllëk të mundshëm sigurie, në rast se NATO do të zvogëlonte praninë e saj ushtarake në Kosovë për shkak të angazhimeve të tjera ndërkombëtare.   Në atë kohë, përfaqësues të forcave ndërkombëtare kishin deklaruar se nuk ekzistonte nevoja për praninë e ndonjë ushtrie tjetër në Kosovë, përveç misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO.   Vendosja e emrit të Zoran Gjingjiqit për një rrugë në veri të Kosovës po vazhdon të ngjallë debat në skenën politike dhe në opinionin publik. /Dragash Info/