MUNDËSJA DORENTINA NEZAJ FITON MEDALJEN E BRONZTË NË “ADRIATIC TROPHY” NË KROACI
Mundësja e talentuar kosovare, Dorentina Nezaj, ka arritur sukses të rëndësishëm ndërkombëtar duke fituar medaljen e bronztë në turneun “Adriatic Trophy”, që po zhvillohet në Poreç të Kroacisë. Ky turne, i cili është pjesë e kalendarit të United World Wrestling, ka mbledhur mundëse nga rreth 20 shtete të ndryshme, përfshirë edhe Përfaqësuesen e Kosovës. Nezaj e nisi garën me paraqitje të shkëlqyer, duke e mposhtur në xhiron e parë portugezen L. Loureiro. Në xhiron e dytë ajo triumfoi ndaj kroates L. Bogatiq, ndërsa në luftën për kualifikim në finale u ndal nga grekja M. Gkika. Trajneri i saj, Sadik Ferati, ka vlerësuar lart paraqitjen e sportistes, duke theksuar se ky është një tjetër sukses i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare për të. Ky rezultat konfirmon formën e mirë të Dorentina Nezajt si pjesë e Përfaqësueses së Kosovës dhe vazhdimësinë e saj në garat ndërkombëtare. / Dragash Info /