Lokale

Bexhet Xheladini: Investime në infrastrukturë dhe përgatitje për buxhetin 2027–2029

23.05.2026. 2 min čitanja

Në mbledhjen e radhës të Qeverisë Komunale të Dragashit, është diskutuar për investimet kapitale dhe përgatitjen e buxhetit për periudhën 2027–2029.   Sipas kryetarit të komunës, Bexhet Xheladini, në fokus të mbledhjes ishte ndarja e Grantit të Performancës dhe përcaktimi i projekteve që do të financohen përmes tij. Projektet e parapara përfshijnë investime në infrastrukturë rrugore, ndriçim publik, mure mbrojtëse, deponi për mbetje inerte, objekte sportive dhe infrastrukturë shkollore.   Gjatë mbledhjes u diskutua edhe për Qarkoren e Parë Buxhetore 2027–2029, me theks të veçantë te sfidat që lidhen me uljen e numrit të nxënësve dhe ndikimin që kjo ka në Grantin e Arsimit. Po ashtu, u theksua nevoja për mbështetje shtesë në sektorin e arsimit, administratës, urbanizmit dhe shërbimeve publike.   Në pikën eventuale u trajtua edhe kërkesa e kompanisë Ekoregjioni për rritjen e tarifave të shërbimeve. Pas shqyrtimit, u vendos që të formohet komisioni përkatës, çështja të dërgohet në diskutim publik dhe më pas të procedohet në Kuvendin Komunal.   “Mbete­mi të përkushtuar që, përmes planifikimit të kujdesshëm dhe investimeve të drejta, të vazhdojmë zhvillimin e Komunës sonë”, ka deklaruar kryetari Xheladini.

— Dragash Info