Hyn në fuqi Ligji i ri për shtetësinë e Kosovës
Nga sot ka hyrë në fuqi Ligji i ri për shtetësinë e Republikës së Kosovës, i cili sjell procedura më të shpejta dhe më të lehta për marrjen dhe rifitimin e shtetësisë. Lajmin e bëri të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook, ku u drejtua bashkatdhetarëve. Sipas tij, një nga ndryshimet kryesore të ligjit të ri ka të bëjë me lehtësimin e procedurave për rifitimin e shtetësisë nga bashkatdhetarët që, për arsye objektive, kanë qenë të detyruar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës. “Nga 9 dokumente që kërkoheshin më parë, tani mjafton kërkesa e plotësuar dhe dëshmia se aplikuesi nuk është i dënuar për vepër penale me vendim të formës së prerë në shtetin ku jeton”, deklaroi Sveçla. Po ashtu, ligji i ri parasheh që aplikimi për shtetësi të realizohet edhe online përmes platformës e-Kosova, ndërsa afati për shqyrtimin e kërkesave është shkurtuar nga 6 muaj në vetëm 30 ditë. Ky ndryshim pritet të lehtësojë procedurat administrative për mijëra bashkatdhetarë që jetojnë jashtë vendit dhe synojnë të rifitojnë ose marrin shtetësinë e Kosovës.