U realizuan vizitat sistematike shëndetësore për nxënësit në SHFMU “Fetah Sulejmani” në Dragash
Sot, në ambientet e SHFMU “Fetah Sulejmani” në Dragash, janë realizuar vizitat sistematike shëndetësore për nxënësit e klasave të para dhe të pesta, në bashkëpunim me ekipet profesionale të QKMF-së Dragash. Qëllimi i këtyre kontrolleve është kujdesi preventiv ndaj shëndetit të nxënësve, identifikimi i hershëm i problemeve të mundshme shëndetësore dhe promovimi i jetës së shëndetshme në ambientin shkollor. Gjatë zhvillimit të vizitave, të pranishëm ishin edhe Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, si dhe Nënkryetari Vetim Ramadani, të cilët nga afër përcollën procesin dhe u interesuan për mbarëvajtjen e kontrolleve shëndetësore. Nga shkolla u shprehën falënderime për QKMF-në Dragash, drejtorin Nazmi Velija dhe gjithë stafin shëndetësor për përkushtimin dhe kujdesin e treguar ndaj shëndetit të nxënësve.