Lokale

Xhavit Ukaj reagon ashpër pasi mbeti jashtë listës së LDK-së për deputetë

12.05.2026. 2 min čitanja

    Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Prizreni, Xhavit Ukaj, ka reaguar publikisht pasi nuk u përfshi në listën e kandidatëve për deputetë të LDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit.   Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ukaj ka bërë të ditur se ishte propozuar unanimisht nga Dega e LDK-së në Prizren, por sipas tij, “ata që erdhën sot në LDK” nuk u pajtuan që ai të jetë pjesë e listës zgjedhore.   Ai ka theksuar se për vite me radhë ka qenë pranë LDK-së në kohët më të vështira, pa kërkuar interesa personale apo përfitime politike.   Ukaj ka treguar gjithashtu se në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm kishte votuar kundër që Vjosa Osmani të jetë bartëse e listës, duke sqaruar se nuk ishte kundër bashkimit, por se sipas tij, bashkimi duhet të respektojë njerëzit që kanë kontribuar dhe kanë qëndruar besnikë ndaj partisë ndër vite.   “Ky nuk është bashkim. Bashkimi ndërtohet duke respektuar njerëzit që i kanë qëndruar pranë LDK-së në ditët më të mira dhe më të vështira”, ka shkruar ai.   Megjithëse i zhgënjyer me vendimin, Ukaj ka bërë të ditur se nuk do të largohet nga LDK-ja.   “Nuk largohem. Nuk dorëzohem. Nuk tradhtoj”, ka deklaruar ai, duke shtuar se LDK mbetet “shtëpia e tij e vetme politike”.   Në fund të reagimit, ai u ka bërë thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të angazhohen për LDK-në dhe të mbështesin, sipas tij, njerëzit që kanë punuar gjithmonë për partinë.   — Dragash Info