Baton Haxhiu intervistohet nga Prokuroria pas deklaratës në “Pressing”
Opinionisti i njohur Baton Haxhiu ka njoftuar se është intervistuar nga Prokuroria në cilësinë e dëshmitarit, lidhur me një deklaratë të bërë në emisionin Pressing në televizionin T7. Në një reagim përmes një shkrimi, Haxhiu ka theksuar se procesi ndaj tij nuk ka qenë thjesht një procedurë standarde. “Ajo që pashë nuk ishte vetëm një procedurë, por një keqkuptim që ka marrë formë institucionale”, ka shkruar ai. Deklarata që nxiti reagimin institucional ishte bërë gjatë një debati televiziv, ku ai komentonte situatën politike dhe zhvillimet rreth kryeministrit në detyrë Albin Kurti. “Ne kemi humbur shumëçka në këtë vend dhe merremi me procedura. Qytetarët duhet të përgatiten për dy gjëra: ose le t’ia japin njeriut 80 vota, ose të tregojnë se ky nuk është i gatshëm të qeverisë…”, kishte deklaruar Haxhiu. Ai kishte shtuar gjithashtu se situata politike ka krijuar lodhje tek qytetarët, duke bërë thirrje për një zgjidhje të qartë politike. Rasti ka ngjallur reagime në opinionin publik, duke hapur debat mbi kufijtë e lirisë së shprehjes dhe ndërhyrjen e institucioneve në deklaratat publike. — Dragash Info