Sport

Homazhe prekëse në Bundesligë: Tifozët e Eintracht Frankfurt nderojnë të riun kosovar Sofian Podvorica

03.05.2026. 2 min čitanja

  Një moment prekës u regjistrua sot në Bundesliga, gjatë ndeshjes mes Eintracht Frankfurt dhe Hamburger SV, ku tifozët në tribunat e stadiumit nderuan me homazhe të veçanta të riun kosovar Sofian Podvorica. 25-vjeçari nga Podujeva humbi jetën pak ditë më parë në një aksident komunikacioni në Gjermania, duke lënë pas dhimbje të madhe tek familjarët, miqtë dhe gjithë komuniteti. Ai u varros të premten në fshatin Dumosh, në një ceremoni ku morën pjesë qindra qytetarë. Për t’i dhënë lamtumirën e fundit, shumë nga shokët e tij kishin udhëtuar nga Gjermania në mënyrë të organizuar. Atmosfera në stadium ishte tejet emocionale, teksa tifozët e Frankfurtit – qyteti ku Sofiani kishte lindur dhe ishte rritur – shpalosën një banderolë me mbishkrimin: “Kurrë nuk do të të harrojmë Sofian, prehu në paqe”, duke dëshmuar lidhjen e fortë që ai kishte me komunitetin atje. Sipas atyre që e njohën, Sofiani kujtohet si një djalë i urtë, i dashur dhe shumë i respektuar nga të gjithë. Familja e tij, e vendosur prej vitesh në Gjermani, gëzon respekt të madh si në komunitetin shqiptar, ashtu edhe në atë gjerman. Ky gjest i tifozëve gjermanë dëshmon edhe një herë solidaritetin dhe humanizmin që tejkalon kufijtë, duke nderuar kujtimin e një të riu që la gjurmë të pashlyeshme tek të gjithë ata që e njohën. — Dragash Info