DASH: Bllokimi politik në Kosovë dëmton besimin në institucione – SHBA ndjek nga afër zhvillimet para zgjedhjeve të 7 qershorit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësim për situatën politike në Kosovë, duke theksuar se bllokimi i vazhdueshëm politik po ndikon negativisht në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore. Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka deklaruar se SHBA po i ndjek nga afër zhvillimet në vend dhe u bën thirrje partive politike që të bashkëpunojnë në interes të qytetarëve të Kosovës. “Bllokimi i vazhdueshëm politik dëmton besimin në institucionet e Kosovës. Ne po i ndjekim nga afër zhvillimet dhe do të donim t’i shihnim të gjitha grupet politike të bashkëpunojnë për interesat më të mira të popullit të Kosovës”, u tha në reagim. Kosova pritet të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 qershor, pas shpërndarjes automatike të Kuvendit këtë javë, si pasojë e dështimit për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues. Në ndërkohë, situata politike ka sjellë përplasje mes partive. Lëvizja Vetëvendosje në pushtet ka akuzuar opozitën për bojkotim të qëllimshëm të seancave, ndërsa partitë opozitare kanë fajësuar pushtetin për mungesë bashkëpunimi dhe për përpjekje të përqendrimit të pushtetit në një dorë të vetme. Zhvillimet pritet të mbeten në vëmendje të ngushtë të partnerëve ndërkombëtarë, në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare. — Dragash Info