KKSB në Dragash mban mbledhjen e dytë të rregullt për vitin 2026 – vlerësohet gjendja e sigurisë si e qetë dhe stabile
Nën kryesimin e Kryetarit të Komunës, Bexhet Xheladini, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka mbajtur mbledhjen e dytë të rregullt për vitin 2026, ku u diskutuan çështje të rëndësishme që ndërlidhen me sigurinë publike dhe mirëqenien e qytetarëve në Komunën e Dragashit. Në këtë takim, anëtarët e KKSB-së shqyrtuan dhe miratuan procesverbalin nga mbledhja e parë, ndërsa në vijim u bë vlerësimi i përgjithshëm i gjendjes së sigurisë për tremujorin e parë të këtij viti. Në fokus të diskutimit ishin çështjet e sigurisë, zhvillimet politike, si dhe masat e ndërmarra për luftimin e shkeljeve të ligjit, me theks të veçantë në kundërvajtjet në komunikacion. Sipas raportimeve të komandantit të Stacionit Policor në Dragash, Shaqir Uka, si dhe komandantit të Vijës Kufitare, Sahit Hoti, gjendja e sigurisë në territorin e komunës është vlerësuar si përgjithësisht e qetë dhe stabile gjatë periudhës raportuese. Një temë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe lirimi i trotuareve nga pengesat dhe parkimet e paligjshme, si dhe nevoja për vendosjen dhe mirëmbajtjen e shenjave sinjalizuese, me qëllim të rritjes së sigurisë për këmbësorët dhe të gjithë pjesëmarrësit në trafik. Në kuadër të sigurisë në institucionet arsimore, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Zeni Krasniqi, raportoi mbi nivelin aktual të sigurisë në shkolla dhe zbatimin e Planit për Siguri në shkolla. Në pikën “të ndryshme”, anëtarët e KKSB-së ngritën disa çështje me interes për komunitetin, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për përmirësimin e mëtejshëm të sigurisë në komunë. — Dragash Info