Fischer mbron ndërhyrjen në Kosovë më 1999: “E fajësoj veten që mu desh aq shumë kohë ta kuptoja natyrën e konfliktit”
Ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joschka Fischer, ka folur për luftën në Kosovë dhe ndërhyrjen ushtarake të vitit 1999, duke e cilësuar atë si një vendim të domosdoshëm për të parandaluar një katastrofë humanitare. Në një intervistë për Der Spiegel, Fischer ka mbrojtur rolin e NATO në Kosovë, duke theksuar se ndërhyrja ishte e nevojshme për të ndalur dhunën dhe për të shmangur një gjenocid të mundshëm. Ai ka pranuar se një nga gabimet e tij personale ishte vonesa në kuptimin e plotë të natyrës së konfliktit. “E vetmja gjë për të cilën mund ta fajësoj veten në rastin e Kosovës është se më është dashur shumë kohë për të kuptuar natyrën e vërtetë të këtij konflikti – një rikthim i një nacionalizmi jashtëzakonisht të rrezikshëm, i gatshëm për vrasje masive dhe terror”, ka deklaruar Fischer. Duke iu referuar regjimit të atëhershëm serb të udhëhequr nga Slobodan Milošević, ai ka paralajmëruar se nëse planet e tij do të realizoheshin plotësisht, pasojat për rajonin dhe Evropën do të ishin shumë më të rënda. “Pas masakrës së Srebrenicës në Bosnje, e cila më vonë u njoh si gjenocid, ishte e qartë se rreziku ishte real. Nëse Millosheviqi do ta çonte përpara agjendën e tij, e ardhmja e Bashkimit Evropian dhe zgjerimi në Ballkanin Perëndimor mund të ishin tema të harruara”, është shprehur ai. Deklaratat e Fischer rikthejnë në vëmendje debatet mbi ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë dhe rolin e saj në ndalimin e spastrimit etnik dhe stabilizimin e rajonit. — Dragash Info